Nis digjitalizimi i procesit zgjedhor në Kosovë, KQZ-ja pranon softuerin e parë nga OSBE-ja

11:22 | 22 Gusht 2024
nis-digjitalizimi-i-procesit-zgjedhor-ne-kosove,-kqz-ja-pranon-softuerin-e-pare-nga-osbe-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, softuerin i cili do t’i digjitalizojë disa nga operacionet zgjedhore.

Ky softuer, do t’ua mundësojë votuesve në çdo kohë, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës. Po ashtu, përmes tij, votuesit me nevoja të veçanta do të mund të regjistrohen nga shtëpia dhe në ditën e zgjedhjeve KQZ do ta dërgojë ekipin mobil për t’ia mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërsa, për votuesit jashtë vendit, platforma elektronike do ta mundësojë aplikimin për regjistrimin e tyre.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se pranimi i këtij softueri shpreh edhe më tutje përkushtimin e Komisionit për avancimin e procesit zgjedhor.

Ai theksoi se Kosova ka një traditë qe çmohet edhe nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe se të gjithë duhet të angazhohemi që ta vazhdojmë këtë traditë.

“Menaxhimi I zgjedhjeve është një ndërmarrje e gjerë dhe komplekse, sepse përfshin aktivitete të shumta, afate kohore strikte, angazhim të personelit, shpërndarjen e mijërave njerëzve në terren, monitorim dhe transparencë për publikun”.

“Organizimi i zgjedhjeve është një ndër proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirës për një shtet. Kosova tashmë ka një traditë qe çmohet edhe nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve. Kjo nuk është vetëm një tregues për punën e KQZ-së por një imazh i shtetit tonë të ri në arenën ndërkombëtare. Kosova duhet të vazhdojë t’i tregojë botës shembullin e mirë në organizimin e zgjedhjeve”.

“Edhe ngjarja e sotme është shprehje e përkushtimit të KQZ-së në avancimin e procesit zgjedhor. Po bëjmë hapa të konsiderueshëm në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore. Softueri i KQZ-së i cili është zhvilluar me mbështetjen e OSBE-së në Kosovë, ka për qëllim që ta avancojë shërbimet e institucionit për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve. Shpreh mirënjohje për OSBE-në dhe ambasadorin Davenport për ndihmën që pa dyshim do ta avancojë procesin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili bëri dorëzimin e softuerit, tha se zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë dhe se ky softuer do të jetë një arsye më shumë që votuesit të besojnë në procesin demokratik.

“Misioni I OSBE-së vazhdon ta mbështesë KQZ-në, siç ka bërë për shumë vjet, veçanërisht tani kurt KQZ po ecë përpara me digjitalizimin e procesit. Jemi këtu që t’ia dorëzojmë softuerin për qendrën e numërimit të votave dhe rezultateve, softuer ky që është zhvilluar me ndihmën e OSBË ne Kosovë. Dorëzimi i softuerit sot prezanton kulminacionin e bashkëpunimit tonë”.

“Kemi punuar pa lodhje për këtë softuer vitin e kaluar, që ky softuer t’i përmbushë kërkesat komplekse. Ky softuer është një hap përpara për efikasitetin, transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor. Koha është esenciale sepse softueri vjen pikërisht para kohës së zgjedhjeve”.“Zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë. Me këtë softuer po i japim votuesve një arsye që të besojnë në procesin demokratik”, ka thënë Davenport, raporton EO.

Gjatë prezantimit të softuerit, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregoi se me anë të këtij softueri do të bëhet e mundur që “në çdo kohë, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe në përiudha jo-zgjedhore, do të bëhet i mundur ndërrimi i Qendrës së Votimt brenda komunës dhe caktimi i saj sa më afër vendbanimit”.

“Përmes softuerit, votuesit me nevoja të veçanta që nuk mund të dalin në vendvotim për të votuar do të mund të regjistrohen nga shtëpia dhe në ditën e zgjedhjeve KQZ do ta dërgojë ekipin mobil për t’ia mundësuar pjesëmarrjen/votimin në zgjedhje”, njoftoi Elezi.

Gjithashtu, Elezi tregoi se përmes digjitalizimit po lehtësohet edhe procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës apo edhe regjistrimi i vëzhguesve.

“Edhe aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të jetë shumë më i lehtë dhe pa ngarkesa të mëdha. Përmes platformës elektronike do të bëhet i mundur aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë vendit”, tha Elezi.

“KQZ-ja do të vazhdojë të prezantojë gjatë ditës së zgjedhjeve të dhënat për pjesëmarrjen në votime, duke shfaqur edhe të dhëna për pjesëmarrjes sipas grupmoshave dhe sipas gjinisë, ndërsa në mbrëmjen e së dielës së zgjedhjeve do të fillojë publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike. Siç është e ditur, votat për kandidatët për deputetë do të fillojnë të numërohen nga e hëna pas ditës së votimit në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kryesisht do të caktohen në palestra sportive dhe rezulati i kndidatëve për deputetë do të publikohet në mënyrë progresive”, sqaroi ai./EO

Komento: