Nis ngritja e çmimeve të derivateve në Kosovë

16:00 | 30 May 2020

Edhe pse çmimet e derivateve të naftës në Kosovë ishin të larta, ato sërish kanë shënuar ngritje.

Aktualisht në Kosovë çmimi i naftës sillet rreth 0.85 centë, kurse benzina 0.84 centë.

Kështu bën të ditur, kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili thotë se në fillim të këtij muaji në takimin e mbajtur me organizatën OPEC, është vendosur që të reduktohet prodhimi i derivateve, ku me këtë rast çmimet do të shënojnë rritje.

Ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, theksoi se ka rritje me shumicë, kurse me pakicë nuk ka lëvizje.

“Çmimet në Kosovë sot sillen për dizellin 0,85 cent, ndërsa për benzinën 0,84 cent. Në fillim të këtij muaji në takimin e mbajtur të organizatës OPEC u vendos që të reduktohet prodhimi i derivateve ku kur të kemi reduktim, çmimet rriten. Çmimet e rritjes kanë reflektu edhe te ne në Kosovë. Kemi rritje te çmimit me shumicë por me pakicë nuk kanë lëvizur”, deklaron Berjani.

Sa i përket dënimit të 14 kompanive nga AKK-ja, ai thotë se Shoqata e Naftëtarëve e ka kundërshtuar këtë vendim, sepse nuk ka pasur marrëveshje apo kurdisje të çmimeve, derisa u shpreh i bindur se Gjykata do t’i shqyrtojë këto lëndë drejtë dhe këto kompani do të fitojnë rastin.

“Shoqata prapë ka kundërshtuar dënimin e 14 kompanive, se nuk ka pasur marrëveshje, por tash të gjitha kompanitë i kanë kundërshtuar. Besoj që gjykata do t’i shqyrtojë këto lëndë drejtë dhe këto kompani do të fitojnë rastin se nuk ka pasur kurdisje të çmimit apo marrëveshje”, shton Berjani.

Derisa flet për çmimet e naftës, ai thotë se gjatë kohës së pandemisë humbjet kanë qenë të mëdha.

“Sa i përket sektorit te naftës gjate kësaj pandemie humbjet kanë qenë të mëdha ky sektor e ka mbushë buxhetin e Kosovës mbi 30%. Gjatë pandemisë ky sektor ka punuar me kapacitet 10 deri 20 % . Rast konkret në vitin e kaluar ne këtu kohë brenda 24 orëve kanë hy rreth 120 autobota ndërsa sot hyn përafërsisht 30 deri në 40 autobota. Përveç bizneseve qe janë dëmtuar edhe te hyrat e shtetit janë shumë ma te ulëta”, shton Berjani për KosovaPress.

Ai edhe një herë bën thirrje nga qeveria që të ndihmohen bizneset, meqë sipas tij ato janë dëmtuar shumë gjatë kësaj periudhe pandemike.

“Shpresojmë që cilado qeveri që të jetë duhet t’i ndihmojë bizneseve për ngritje unë mendoj se vetëm me anë të kredive afatgjatë, rast konkret si e ka bo shteti i Zvicrës. Ku kompanitë e vogla dhe të mesme janë ndihmuar sipas qarkullimit deri në 50% ndërsa kompanitë e mëdha 20% me kthim pa kamat”, thekson ai.

Kujtojmë që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka vendosur masë ndëshkuese mbi 4 milionë euro, për 14 kompani të derivateve për shkak të çmimeve të naftës, në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

Komento: