
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se sot më 5 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Në njoftimin e KQZ-së, thuhet se sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9 mijë e 900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2 mijë e 860.
“Në ndërkohë, në QNR është duke u bërë vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime nga tërheqjet e realizuara më 2 janar nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, nga ku janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë, më 5 janar, janë sjellë në Kosovë. Pas vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të numëroj fletëvotimet e aprovuara”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Gjithashtu, KQZ ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës.
Më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11 mijë e 867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta, para numërimit.