Ka filluar puna në kompaninë e Feronikelit.
Pas gjashtë muajsh ndërprerje për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, kompania Ferronikeli ka nisur përgatitjet për të rifilluar punën.
850 punëtorë të kësaj kompanie të cilët pritet të rinisin punën e kanë mirëpritur këtë zhvillim.
Megjithatë menaxhmenti i kompanisë janë pesimistë për ecurinë e punës së Ferronikelit duke u arsyetuar në shtrenjtimin e çmimeve. Ndezja e furrave në fabrikën Ferronikeli ka gëzuar punëtorët të cilët po përballen me kushte të vështira ekonomike.
Ata thonë se ndërprerja e punës për gjashtë muaj ka vështirësuar jetesën pasi që pagat prej 50%, që marrin, janë të pamjaftueshme.
“Për të gjithë punëtorët e Ferronikelit është e domosdoshme që të fillojmë me qenë se është bërë një kohë e gjatë dhe se të gjithë kemi obligime familjare, dhe shtrenjtimi kohëve të fundit i të gjithë artikujve e ka bërë jetën mjaftë të vështirësuar”, ka thënë Tahir Bardhi, punëtor i Ferronikelit.
Bardhi shtoi se me fillimin e punës dhe prodhimit besoj se do të kemi edhe pagat e plota, do të jetë ndihmesë shumë e madhe jo vetëm për mua si familjarë, por edhe për gjithë Drenasin.
Kurse përfaqësuesit e sindikatës së Ferronikelit e mirëpresin fillimin e ndezjes së furrave dhe fillimin e prodhimit, duke thënë se edhe ata si sindikatë, janë duke bërë përpjekje që sa më parë të fillojë punën.
“Ka lëvizje pozitive në atë drejtim të rifillojmë punën me ndihmën apo pa ndihmën e qeverisë. Normal se pritet mirë rifillimi I punës në Ferronikel, sepse me të vërtet jemi në një gjendje të rëndë socio ekonomike”, ka thënë Abedin Haxhiu, nënkryetar i Sindikatës në Ferronikel ne RTK.
Nga ana tjetër, nëpërmjet një përgjigjeje elektronike nga menaxhmenti i Ferronikelit, është thënë se po bëjnë përpjekje për të rifilluar punën por që po përballen edhe me çmimet e larta të energjisë elektrike gjë që ua vështirëson rifillimin e punës.
Janë duke u bërë përpjekje maksimale për t’u kthyer në prodhim sa më shpejt. Është nevojë e madhe e mijëra punëtorëve që kompania “New Co Ferronikeli” t’i kthehet prodhimit sa më parë, mirëpo çmimet ende jashtëzakonisht të larta dhe jostabile të energjisë në bursat ndërkombëtare, sikurse problemet e shumta teknike, si pasojë e një pauze të gjatë të makinerive në fabrikë, nxjerrin probleme të vazhdueshme dhe të paparashikueshme që e bëjnë më të vështirë rikthimin në prodhim.
Ndryshe, janë mbi 850 punëtorë nga kjo komunë që pritet të kthehen në punë pas rifillimit të prodhimit në këtë kompani.
Kurse menaxhmenti shfaqet pesimist për ecurinë e punës, për shkak të çmimeve të larta të energjisë.