Nis punën Gjykatës Speciale

08:15 | 12 December 2018

Gjykata Speciale ka filluar funksionalizimin e saj.

Kësi soji kjo gjykatë ka filluar edhe me ftesat e saj për të dyshuarit.

Ftesat e dërguara nga Gjykata Speciale për Rrustem Mustafën, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, Sami Lushtakun, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, Nazif Mehmetin, ish-epror i Zonës Operative të Llapit dhe për Sokol Dobrunën, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake vlerësohen vetëm si një paralajmërim për ftesat tjera që pritet të dërgohen ndaj figurave të fuqishme politike dhe ushtarake të Kosovës.

Gjykata Speciale ua ka dërguar ftesat në “zarf” katër ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u paraqitur në Hagë, duke e dëshmuar kështu aktivizimin e plotë të këtij institucioni të drejtësisë, shkruan sot Gazeta Zëri.

Avokatët mbrojtës tashmë kanë konfirmuar se ftesë nga Specialja kanë marrë: ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna dhe Nazif Mehmeti, ish-epror i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit.

Ish-eprorët e UÇK-së do të paraqiten për intervistim në Hagë më 14 janar 2019.

Në anën tjetër, njohësit e sistemit të drejtësisë në vend vlerësojnë se ftesat e para janë vetëm test i Speciales, pasi që, siç thonë ata, shumë shpejt pritet të ngrihen aktakuzat ndaj figurave të rëndësishme politike dhe ushtarake në vend.

Komento: