Nis seanca për presidentin, pa opzitën

17:52 | 27 Prill 2026
kuvendi-mblidhet-per-dy-seanca,-njera-i-kushtohet-rexhep-qosjes

E plotësuar: Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për diskutimin për çështjen e presidentit.

Të pranishëm nuk janë të pranishëm deputetë të partive opozitare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në seancën e thirrur për zgjedhjen e presidentit se mungesa e opozitës po prodhon pasoja direkte dhe po e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme politike.

Seanca po zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive opozitare, të cilat e kanë bojkotuar procesin.

“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme”, tha Haxhiu.

Ajo iu referua edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se sipas tij deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë leje të rregullt paraprake.

“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, shtoi ajo.

__________________________________________________________________________

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi si “hajgare” thirrjen e seancës nga LVV-ja për të diskutuar për çështjen e presidentit.

“Nuk kemi nevojë të diskutojmë nëse Kosova ka nevojë për president apo jo. Kjo është çështje kushtetuese dhe shtetërore, jo temë improvizimi. PDK ka qenë e qartë që nga dita e parë dhe ka ofruar opsione konkrete për zgjidhje”, shkroi ajo në Facebook.

Çitaku e akuzoi LVV-në se nuk e ka trajtuar me seriozitet procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se partia e kryeministrit Albin Kurti “nuk kërkon konsensus, por prodhon krizë”.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj është e gatshme të japë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë për president, sapo që emrat të propozohen nga PDK-ja dhe LDK-ja.

“Arsyeja e tre kandidatëve është që PDK dhe LDK të bëhen pjesë e procesit. Dhe, do të shmangeshin zgjedhjet e reja sepse do të merrnin pjesë në votim 80 deputetë”, tha ajo.

Nagavci tha se LVV tërheqë kandidatët e saj për president, por opozita duhet që paraprakisht të propozojë të paktën dy emra për president.

Ajo tha se pranuar asnjë nënshkrim nga LDK-ja për të propozuar ish-presidenten Vjosa Osmani për presidente.

E pyetur që të konfirmojë raportimet se LVV po bisedon me Bashkim Jasharin që ai të kandidohet për president, Nagavci tha:

“Nuk mund të konfirmoj informacionin që po qarkullon në media. Ajo që mund të konfirmoj është që si LVV kemi bërë propozime të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte propozimi i tre kandidatëve”.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit.

Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.

“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.

I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.

E nëse LDK-ja e propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së.

Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.

Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancë.

Sipas tij, kjo seancë është “show propagandues i LVV-së”.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Tahiri tha se diskutime serioze për presidentin ishin dashur të bëhen tash e tre muaj.

“AAK nuk ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk ka marrë pjesë dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që sërish është një performancë publike”, tha Tahiri.

Ai shtoi se diskutimi i sotëm pritet të jetë “diskutim për të folur vetmëvete”, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje./Telegrafi.

Komento: