Nis sonte faza e dytë e dezinsektimit në Prishtinë

16:55 | 15 Qershor 2026
nis-sonte-faza-e-dyte-e-dezinsektimit-ne-prishtine

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka bërë të ditur se sonte nis faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në kryeqytet dhe në fshatrat përreth, ndërsa procesi do të zhvillohet sipas planit të hartuar nga ekipet përgjegjëse.

Gashi në një intervistë për Ekonomia Online tha se janë planifikuar gjashtë faza të dezinsektimit për stinën e verës.

Sipas Gashit, faza e parë është realizuar sipas planifikimeve dhe është monitoruar nga afër nga ekipet e Drejtorisë së Shëndetësisë.

“Kjo është faza e dytë e dezinsektimit hapësinor të kryeqytetit me lagjet e kryeqytetit dhe fshatrat përreth. Faza e parë ka shkuar ashtu siç është planifikuar, domethënë në bazë të parashikimit dhe planit të menaxhimit, ku ekipet e kryeqytetit, ekipet e Drejtorisë së Shëndetësisë, kanë mbikëqyrur për së afërmi procesin e dezinsektimit hapësinor. Proces ky që normalisht i paraprin dy ditë faza e hedhjes së larvicidëve. Proces që ka marrë shumë pyetje për këtë, është një proces ku hidhen larvicidët domethënë në pellgje, në vende ku ka ujë të ndenjur apo që qëndron, qoftë afër mbeturinave apo në pjesë të ndryshme, gropa, të rasteve të ndryshme ku ka grumbullim të ujit, të ujit që nuk lëviz, domethënë kryesisht është vend tipik ku mund të zhvillohen larvat e aty ku zhvillohen mushkonjat. Domethënë, kjo i paraprin, hedhja e larvicidëve, për moslejimin e zhvillimit të tyre. Tani veç jemi në fazën e dytë.”, tha ai.

Gashi bëri të ditur se gjatë ditës ka qenë në terren së bashku me ekipet dhe falënderoi qytetarët për bashkëpunimin në identifikimin e zonave problematike.

“Sot kam qenë bashkë me ekipet nëpër disa fshatra të komunës. Falënderoj qytetarët që bashkëpunojnë jashtëzakonisht mirë me ne dhe që na ndihmojnë t’i gjejmë këto hapësira ku ka ujë të ndenjur, në mënyrë që t’i trajtojmë paraprakisht para se në mbrëmje t’i trajtojmë me dezinsektimin hapësinor. Domethënë, kjo është faza paraprake

Sonte fillojmë, pra janë të ndara, është e paraqitur në rrjetet sociale, domethënë, lagje për lagje të ndara në bazë të ditëve. Sot është dita e parë e fazës së dytë dhe do të vazhdojmë deri ditën e premte, kështu në bazë të kushteve atmosferike, që sipas asaj që ekipet e menaxhimit e kanë mbikëqyrur dhe e kanë analizuar, duket se do të jetë kryesisht do të kemi kushte meteorologjike të favorshme për zhvillimin e fazave të dezinsektimit. Nëse do të ketë eventualisht reshje në kohën e dezinsektimit, atëherë ajo do të shtyhet për një ditë, si zakonisht, deri në përmirësimin e kushteve, sepse nuk preferohet kur ka të reshura atmosferike, nuk preferohet të bëhet dezinsektimi hapësinor”, u shpreh ai.

Lidhur me vazhdimin e procesit gjatë muajve të verës, drejtori i Shëndetësisë tha se plani për vitin 2026 parasheh gjithsej gjashtë faza të dezinsektimit.

“Sipas planifikimit të grupeve të cilat kanë përgatit planin e menaxhimit për vitin 2026, janë të parapara gjashtë faza. Domethënë, ne jemi vetëm në fazën e dytë, domethënë që shpresojmë që muaji qershor do të mbyllet me dy faza afërsisht. Fillimi i fazës së tretë do të jetë fundi i këtij muaji ose fillimi i muajit korrik, që janë të parapara çdo muaj nga dy faza, deri në fundin e muajit gusht, që parashihet të jenë periudhat më të nxehta, domethënë kohore të këtij viti. E nëse eventualisht do të kemi kohë të nxehtë, temperatura të larta dhe mundësi ose kushte meteorologjike të favorshme për shumimin e numrit të mushkonjave dhe mizave, atëherë do të shqyrtohet mundësia, në bazë të asaj se çka na propozon ekipi menaxhues dhe grupet mbikëqyrëse të procesit, atëherë do të shihen mundësitë edhe eventualisht për një fazë shtesë në fund të këtij procesi, e cila do të vijë në fillim të muajit shtator. Po prapë po e them, varësisht prej kushteve meteorologjike, varësisht prej numrit ose popullacionit të mushkonjave dhe mizave në atë periudhë. Me këto gjashtë faza ne i mbulojmë tre muajt më të nxehtë të verës, domethënë deri në fund të muajit gusht”, deklaroi Gashi.

Ai sqaroi se faza përgatitore me hedhjen e larvicidëve po zhvillohet në të gjithë territorin e kryeqytetit dhe fshatrave, ndërsa dezinsektimi hapësinor ka nisur në mbrëmje sipas një orari të publikuar më herët.

“Po, sot kemi filluar në të gjitha pjesët, edhe kryeqyteti edhe fshatrat. Hedhja e larvicidëve, faza përgatitore bëhet në të gjithë qytetin dhe fshatrat sot dhe nesër, domethënë dy ditë. Në të njëjtën kohë, sot në mbrëmje fillohet me dezinsektimin hapësinor. Domethënë, janë të paraqitura në rrjetet sociale, disa prej tyre mund t’i lexoj, domethënë që dita e parë janë gjithmonë ditët e njëjta dhe lagjet e njëjta. Për shembull, në fazën e parë me datën 1 është filluar me Ulpianën, prapë sot me datën 15 fillohet me Ulpianën, për shkak se intervali kohor prej ditës që është realizuar dezinsektimi në Ulpianë janë dy javë, domethënë 15 ditë ose 14 ditë kalendarike që kanë kaluar nga dita e dezinsektimit. Sipas epidemiologëve dhe ekspertëve të dezinsektimit, nuk preferohet që të jetë më gjatë se 14 ditë trajtimi në mes të ditës që është trajtuar dhe ditës tjetër pasuese që vjen. Lejohet deri në 10 ditë, afërsisht, mirëpo jo më shumë se 14 ditë prej ditës që është dezinsektuar. Domethënë, me datën 1 është dezinsektuar Ulpiana, Dardania, Qyteza Pejton; me datën 15 sot prapë kemi dezinsektimin në lagjen Ulpiana, Dardania, Qyteza Pejton, Lakrishte, Arbëri, te Zona Industriale, pjesa e kazermës “Adem Jashari”, domethënë që janë të parapara me këto. Të nesërmen fillon Aktashi, Taukbahçja, Parku i Qytetit e të tjera me radhë, po me të njëjtën renditje ashtu qysh kanë qenë në fazën e parë”, tha ai.

Komento: