
Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, sot do të fillojë aksionin e jashtëzakonshëm të inspektimeve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Ky aksion ndërmerret në zbatim të vendimit të ministrit, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria dhe aktivitetet e ngjashme” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Aktiviteti do të fillojë në Fushë-Kosovë, për të vijuar më pas në të gjithë vendin.
Të hënën, ministria njoftoi se Andin Hoti ka marrë vendim për ndërmarrjen e masave të menjëhershme dhe emergjente me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë.
“Me vendimin e nënshkruar nga ministri Hoti, urdhërohet Inspektorati Qendror i Punës që të hartojë një plan emergjent për fillimin e menjëhershëm të një aksioni të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve.
Ky aksion do të zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me fokus të veçantë në kantieret ndërtimore dhe aktivitetet me rrezik të lartë”, u tha në njoftimin e MPFVLÇ-së.