Nisin hetimet ndaj ‘Artmotion’ dhe ‘Kujtesa’, këto janë dyshimet

22:33 | 23 December 2022

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur hetimin ndaj dy operatorëve kabllorë televizivë dhe të internetit, “Art Motion” dhe “Kujtesa Net”, nën dyshimin për arritje të marrëveshjes së ndaluar.

Siç thuhet në komunikatë të këtij autoriteti, nëse s’është dorëzuar njoftimi i detyrueshëm për përqendrim, atëherë ka formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës.

“Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka filluar procedurën për konstatimin e marrëveshjeve të ndaluara nga neni 5 dhe vlerësimin e përqendrimit ku pjesëmarrësit në përqendrim nuk parashtrojnë kërkesë për lejimin e përqendrimit nga neni 13. Kompanitë operojnë në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës. Autoriteti njofton se, Transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas nenit 5 të Ligjit për Mbrojtje të Konkurrencës, marrëveshje të ndaluara janë ato që direkt ose tërthorazi caktojnë çmim të shitblerjes ose çdo kusht tjetër tregtimi; që kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në pozitë të pafavorshme konkurruese; kushtëzojnë lidhjen e kontratës me pranimin nga palët kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose përdorimi tregtar nuk kanë lidhje me objektin e kontratës.

“Kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin (ex ante)”, thuhet në komunikatë.

Autoriteti ka thënë se nisja e hetimit për çrregullim të konkurrencës ka qëllim t’i sqarojë faktet dhe vërtetimin e shkeljes së pretenduar.

Komento: