Nisin konsultimet nga SBASHK me anëtarësinë për grevën, e kanë një pyetje për ta

14:29 | 28 Shtator 2022

SBASHK ka nisur konsultimet me anëtarësinë për grevën, e kanë një pyetje për ta.

Sindikata e Arsimit po e shqyrton mundësinë e pezullimit të grevës. Për këtë ka nisur kërkesë te anëtarësia për ta kërkuar opinionin e tyre.

Kështu i ka thënë Gazetës Express, të mërkurën Reshit Kushaj, kryetari i Këshillit Grevist të kësaj Sindikate.

Ai thotë se në asnjë variant nuk do të kërkohet ndërprerja e grevës, por pezullimi.

Si kornizë kohore e përmendi fundin e vitit kur do të shqyrtohet mundësia e rikthimit të grevës në rast se kërkesat e tyre nuk gjejnë zbatim nga Qeveria.

“Ne sot do ta pyesim anëtarësinë nëse janë për pezullimin e grevës deri në fund të vitit”, tha Kushaj.

Ka paralajmëruar edhe për veprime të tjera sindikale – por s’i ka treguar ato. Thotë se do të flasin me anëtarësinë.

Tashmë ka kaluar një muaj që kur greva në arsim nisi, më 25 gusht.

Sindikata kërkon shtesa 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga. Por qeveria i ofron 50 euro në kuadër të pakos anti-inflacion.

Divergjencat e thella kanë shkaktuar edhe diskurs “agresiv” mes palëve.

Këshilli i Prindërve ka paralajmëruar greva nëse s’ka zgjidhje deri më 1 tetor.

Komento: