Ylli Brazilian pritet të bëhet me skuadër të re.
Napoli do të humbë Dries Mertens në fund të këtij sezoni dhe me shumë mundësi edhe spanjollin Jose Callejon, të cilëve u skadon kontrata me klubin, ndaj Giuntoli po punon në merkato për të gjetur emrat e duhur që mund të marrin vendin e tyre në organikën në dispozicion të Gattusos.
Kështu sipas mediave italiane, drejtori sportiv i klubit napolitan ka nisur negociatat me brazilianët e Gremios, për të transferuar nën urdhrat e Gattusos sulmuesi Everton, i cili spikati me kombëtaren e “Selecao”-s dhe është kërkuar nga disa klube europiane.
Gremio ia ka vënë çmimin 30 milionë euro kartonit të sulmuesit, por mund të pranojë një ulje deri në 25 milionë euro, duke qenë se situata ekonomike e klubeve nuk është më si më parë, për shkak të pandemisë botërore Covid-19.
Everton është një futbollist që ka pëlqimin maksimal edhe të Gattusos, pasi tekniku e pati studiuar që në kohën kur ishte në pankinën e Milanit dhe ia propozoi drejtori i atëhershëm i kuqezinjve, braziliani Leonardo, por marrëveshja nuk u mbyll me sukses.
Ndonëse vetëm 24 vjeç, Everton Soares është pjesë e Gremios që prej vitit 2014 dhe ka luajtur 137 takime për klubin brazilian, duke shënuar edhe 36 gola, ndërsa që prej vitit 2018 është pjesë edhe e kombëtares braziliane, ku ka luajtur 14 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.