Nisin punimet në “Rrugën A”, Rama: Do të shkarkohet ngarkesa e trafikut në kryeqytet

12:51 | 27 Prill 2023

Sot kanë nisur punimet në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë projekt si madhor për kryeqytetin, pasi do të lidhë “Prishtinën e Re” me “Kalabrinë”, duke u dhënë fund kundërmimeve nga kanalizimi i hapur dhe rrezikshmërisë për fëmijët.

Rama tha gjithashtu se kjo rrugë do të shkarkojë trafikun në kryeqytet.

“Ky projekt madhor infrastrukturor për kryeqytetin, do të lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë, duke i dhënë fund kutërbimeve nga kanalizimi i hapur dhe rrezikshmërisë për fëmijët. Rruga Jim Xhema do ta shkarkojë dukshëm ngarkesën e trafikut në #kryeqytet.
Punimet po i nisim njëkohësisht nga të dyja skajet e rrugës në projektin monumental 🗓️240 ditësh, duke sjellë një standard të ri në infrastrukturën e qytetit, me korsi të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me Rrugën B”, ka shkruar Rama.

Ai ka falënderuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për bashkëpunimin dhe komunikimin e hapur dhe qytetarët për durimin.

“Prishtina po frymon më lehtë e më mirë!”, shtoi Rama.

Komento: