Nisma e Veselit për ta luftuar korrupsionin po shihet me skepticizëm

08:47 | 21 June 2019

Vendimi i Kadri Veselit për t’i larguar nga funksionet në parti dhe nga përgjegjësia institucionale të gjithë ata zyrtarë të PDK-së që kanë aktakuza, po shihet me skepticizëm në Kosovë.

Janë partnerë të koalicioni qeverisës, mirëpo jorrallëherë paraqiten të paunifikuar rreth çështjeve të rëndësishme për Kosovën.

Ndonëse kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, para dy ditësh mori vendim për t’i larguar nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, partnerët e koalicionit nuk kanë dhënë kurrfarë sinjali deri sot se do ta bëjnë një gjë të tillë me zyrtarët e partive të tyre.

Përkundrazi, teksa ka folur rreth vendimit të Veselit, kryeministri Ramush Haradinaj e i cili njëherësh është kryetar i AAK-së ka thënë se asnjë veprim i tij nuk do të jetë i ndërlidhur me veprimet e të tjerëve.

Në anën tjetër, edhe nisma e Veselit për ta luftuar korrupsionin po shihet me skepticizëm nga opozita e nga shoqëria civile, shkruan “Zëri”.

Zyrtarët e opozitës thonë se veprimi i fundit i të parit të PDK-së është bërë vetëm sa për të përfituar politikisht.

Komento: