Votat nga Serbia po kontestohen nga koalcioni Nisma-AKR-PD.
Partia që drejtohet nga Fatmir Limaj me ngulm është duke kërkuar që të mos numërohen fare votat të cilat kanë ardhur nga Serbia, pasi sipas tyre ato kanë ardhur jashtëligjshëm nga Serbia.
Mbrëmë anëtari i kësaj partie, ish-ministri Skender Reqica, kishte mbajtur një konferencë për media para QNR’së në Fushë Kosovë, ndërkohë sot është mbledhur edhe Kryesia e kësaj partie për të diskutuar lidhur me situatën.
Pas këtij takimi kjo parti ka lëshuar ndërkohë edhe një komunikatë për media, në të cilën thuhet se sipas rezultateve të cilat i posedojnë, në bazë të numërimit të votave të rregullta e kanë kaluar pragun dhe do të jenë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër thonë se votat e ardhura nga Serbia si të tilla nuk duhet pranuar, pasi ato kanë ardhur në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet.
“Nisma Socialdemokrate vlerëson se QNR ka shkelur ligjin kur i ka hapur dyert votave ilegale nga Serbia duke i pranuar ato pa vlerësimin ligjor se a janë apo nuk janë të rregullta dhe pa vendim të KQZ-së. Në raportin e 11 tetorit vet divizioni për shërbimin e votuesve jashtë vendit, në raportin që ia ka paraqitur KQZ-së, ka identifikuar një mal parregullsi për këto vota të ardhura nga Serbia”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Sipas tyre me votat e ardhura nga Serbia ka pasur edhe parregullsi gjatë bartjes së tyre.
“Duke filluar nga ajo që ato nuk kanë ardhur përmes postës dhe nuk janë postuar ashtu siç e parasheh ligji për votim me postë, por janë bartur në paketa dhe janë sjellë në postën numër 6 në Prishtinë, e deri tek ardhja e këtyre votave të grumbulluara në paketa, ku siç e thotë raporti paketa më e vogël i ka 157 zarfe, ndërsa paketa më e madhe i ka 238 zarfe”, vazhdon komunikata.
Më tutje, Nisma thotë se mbi 2000 vota kanë ardhur në 19 paketa që është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zgjedhjet numër 03/L 073 neni 97 pika 1.
Kundër numërimit të votave të ardhura nga Serbia kanë dalë edhe nga LDK’ja dhe Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë Albulena Haxhiu e ftuar mbrëmë në emisionin “Interaktiv”, ka treguar se kjo kërkesë e NISMA’së për mospranimin e atyre votave nga Serbia, vjen për arsye se në rast të procedimit të tyre votave në rezultatin e përgjithshëm, do të ngritët përsëri pragu, dhe një gjë e tillë do ta linte përsëri NISMAN, jashtë Kuvendit.