
Nisma Socialdemokrate ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme për media, e cila do të mbahet sonte në orën 21:30, në selinë qendrore të partisë në Pejton.
Konferenca do të udhëhiqet nga kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ende nuk e ka bërë publike listën e kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit — afat ky që përfundon para mesnate, raporton ORAinfo.
“Ju ftojmë në Konferencë të Jashtëzakonshme për Media, e cila do të mbahet sonte, nga ora 21:30, në selinë qendrore të Nisma Socialdemokrate. Konferencën do ta mbajë kryetari Fatmir Limaj”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ndërkohë, edhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë të pa publikuar listën e saj të kandidatëve për deputetë, pavarësisht se afati zyrtar për dorëzim po i afrohet fundit.
Kjo situatë ka ngjallur spekulime në skenën politike: a mund të jetë kjo një lëvizje e fundit që sinjalizon afrimin e Nismës së Limajt drejt një liste të përbashkët me Vetëvendosjen? Deri tani nuk ka konfirmime, por vonesat e koordinuara të dy subjekteve kanë hapur hapësirë për interpretime të ndryshme.
Publiku dhe mediat mbeten në pritje të konferencës së Limajt, e cila pritet të japë më shumë sqarime për pozicionimin e Nismës në këto zgjedhje. /ORAinfo/