Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, në Emisionin “EKONOMI” në Telegrafi. com me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për punën që po bëhet në blloqet e termocentraleve, si dhe për punën në nxjerrjen e thëngjillit në mihje.
Ai ka treguar se kanë filluar remontet dhe përgatitjet për dimër në dy blloqe dhe se këtë vit do ta kenë me më shumë prodhim vendor të energjisë elektrike.
“Falë punëtorëve dhe angazhimit maksimal të të gjithëve kemi arritur që ta kemi një vit të suksesshëm me një performancë të jashtëzakonshme – madje i kemi tejkaluar edhe planifikimet për 8 për qind. Po ashtu është stabilizuar prodhimi i energjisë elektrike në blloqet e termocentraleve ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’”, tha Thaçi.
Ai ka treguar se aktualisht janë dy blloqe në remont, blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”, si dhe blloku B1 i Termocentralit “Kosova B”.
“Aktualisht jemi duke prodhuar 550 megavatë orë energji elektrike në një bllok 1 në ‘Kosova B’ dhe dy blloqe të ‘Kosovës A’. Ka prodhim të mjaftueshëm për t’i furnizuar me rrymë konsumatorët, por me rënien e kërkesës për furnizim janë krijuar edhe teprica të energjisë elektrike dhe gjatë natës dhe hedhen në treg”, tha drejtori menaxhues i KEK-ut, duke treguar se gjatë dimrit pritet të jenë në prodhim 5 blloqe, tre të Termocentralit “Kosova A”, si dhe dy blloqe të Termocentralit “Kosova B”.
“Ashtu siç e kemi kaluar dimrin e kaluar me një performancë të mirë në prodhimin e energjisë elektrike, kemi pasur edhe një performacë të mirë financiare me 17 milionë euro fitime. Kemi rritur edhe projektet kapitale duke i ulur shpenzimet operative”, tha drejtoi menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.
Një problem për KEK-un është mosha e të punësuarve ku aktualisht shkon mbi 55 vjet. Sipas tij, për të plotësuar nevojat, KEK-u ka pasur edhe një konkurs për punësime të reja.
Njazi Thaçi ka folur edhe për pagat jubilare dhe përcjellëse, si dhe mënyrën e përfitimit.
Drejtori i KEK-ut, në Emisionin “EKONOMI” ka folur edhe për investimet e kësaj korporatë për ambient.
Sipas tij, përveç investimeve në filtra të termocentraleve, ata kanë investuar edhe në forma të ndryshme nga viti 2010 mbi 50 milionë euro.