Nga: Constanze Letsch / The Guardian
Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi dhe në Siri, ka kaluar tashmë shifrën 37 mijë. Dhjetëra mijëra njerëz janë ende të zhdukur dhe njoftimet nga mediat sociale janë të mbushura me shembujt e komplekseve të sapondërtuara banesore që shemben si kështjella rëre, duke varrosur banorët nën rrënoja. Shumica e këtyre ndërtesave u shitën si banesa luksoze, “në përputhje me standardet më të fundit të sigurisë nga tërmeti”.
Disa nga kontraktorët përgjegjës janë përpjekur që të largohen nga Turqia. Për shkeljet e dyshuara të kodeve të sigurisë janë lëshuar fletarrestet për më shumë se 130 persona dhe disa pronarë të kompanive të ndërtimit janë arrestuar. Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdağ, u zotua se “do të përgjigjen të gjithë ata që janë fajtorë “.
Por, këto forma të lakmisë dhe të përfitimit flagrant nuk janë të vetmet krime. Këto komplekse banesore nuk do të mund ndërtoheshin pa lejet dhe pa licencat e lëshuara nga shteti, pa nënshkrimet miratuese të inspektorëve nominalisht të pavarur të ndërtimit dhe pa raportet e nevojshme nga laboratorët që e bëjnë kontrollin e cilësisë së materialeve të ndërtimit. Ato nuk do mund të vazhdonin pa ndryshimet e shumta – nga ana e Qeverisë – në legjislacionin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, të cilat në tërësi synonin të lehtësojnë shpërthimin shkatërrimtar dhe të pangopur të sektorit të ndërtimit.
Kjo nuk është hera e parë që tërmetet shkatërrimtare ekspozojnë qeverinë e korruptuar dhe të paaftë të Turqisë. Megjithatë, AKP-ja ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet. Kishte kohën dhe mjetet për ta trajtuar një sektor famëkeq dhe mashtrues ndërtimi, për të frenuar kontraktorët e papërgjegjshëm dhe për të ofruar strehim të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët në një vend të ndjeshëm ndaj tërmeteve. Ajo zgjodhi të mos veprojë.
Në vend të kësaj, u fokusua në projektet masive të infrastrukturës dhe të ndërtimit si motori kryesor i rritjes ekonomike, pa marrë parasysh kostot shoqërore dhe mjedisore. Nga viti 2004 e në vazhdim, Qeveria miratoi reformat thelbësore ligjore dhe institucionale në fushën e ndërtimit, të pasurive të paluajtshme, të qeverisjes lokale dhe të financimit të banesave. Kjo përfshinte kompetencat e reja të gjera për bashkitë metropolitane dhe të rretheve për të zbatuar projektet e rinovimit urban, për të krijuar partneritete me kompanitë private dhe që ndërmarrësve privatë t’ua shitnin tokën dhe asetet që janë në pronësi publike.
Si rezultat i kësaj, dhjetëra mijëra njerëz – shpeshherë ata që ishin të margjinalizuar ose të varfër – janë dëbuar nga shtëpitë e veta. Komunitetet dhe rrjetet e solidaritetit janë shkatërruar për të krijuar hapësirat për banesa luksoze dhe për pronat tjera të paluajtshme të fitimit të lartë. Rinovimi urban punoi pak për t’i bërë banesat rezistente ndaj tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera. Sipas shifrave të publikuara në vitin 2018, nga Ministria e Mjedisit dhe e Urbanizimit, më shumë se gjysma e ndërtesave në Turqi – ekuivalent me pothuajse 13 milionë ndërtesa – shkelin rregullat e ndërtimit dhe të sigurisë. Politikanët dhe ekspertët vendas për vite me radhë kanë paralajmëruar se qytetet dhe qytezat nuk do ta përballojnë lëkundjen e dhunshme, por zërat e tyre janë injoruar.
Dhe, jo vetëm kaq. Derisa autoritetet shtetërore inkurajuan zhvillimin dhe ndërtimin e pafrenuar, duke mbyllur njërin sy ndaj parregullsive, AKP-ja në mënyrë kritike dobësoi gjithë mbikëqyrjen e pavarur të ekspertëve. Dhomat e tregtisë vazhdimisht përçmoheshin si grabitqarë, tradhtarë, madje edhe terroristë kur ekspozonin të metat në ndërtim dhe hapjen e çështjeve gjyqësore kundër projekteve problematike ose të rrezikshme. Ligjet e miratuara më 2011 dhe më 2013 – ky i fundit ka të ngjarë të jetë hakmarrje e vogël për përfshirjen e drejtuesve të dhomave tregtare në protestat për Gezin [protestat e vitit 2013 në Stamboll, kundër planeve urbanistike për Parkun Gezi – shën. i përkth.] – nga procesi i miratimit dhe inspektimit të projekteve të ndërtimit kanë përjashtuar sidomos profesionistët e këtyre dhomave, si inxhinierët e ndërtimit, arkitektët dhe urbanistët. Arkitekti Mücella Yapıcı, avokati Can Atalay dhe planifikuesi urban Tayfun Kahraman, të gjithë anëtarë të shquar të Unionit të Dhomave të Arkitektëve dhe Inxhinierëve Turq (TMMOB), si dhe kritikët e vjetër të qeverisë së AKP-së, që të gjithë janë burgosur me akuza falset për konspiracion.
Ndërkohë, përgjegjësinë – për të siguruar ndërtime të sigurta dhe të rregulluara – Qeveria ua la forcave të tregut të lirë. Inspektimet e ndërtesave janë privatizuar, duke i dhënë përparësi fitimit mbi ekspertizën. Kontraktorët që nuk kishin brejtje të ndërgjegjes dhe inxhinierët që ishin të gatshëm të punojnë për lëmoshë, inspektimet i shndërruan në asgjë më shumë se një formalitet. Veprimet e tilla të vazhdueshme me koston më të lirë, ndikuan në shtimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe pa sigurinë e duhur. Deri në fund është një garë vdekjeprurëse: inxhinierët dhe arkitektët që për kohë të gjatë ishin të papunë, për ofertuesit më të lartë nisën t’i japin me qira diplomat universitare, shpeshherë nënkontraktorëve që duan ta shkurtojnë burokracinë dhe të mbarojnë punë me çmim të ulët për projektet e ndërtimit – pa “pengesën” e mendimit të ekspertit.
Për më shumë, ndërtesat ekzistuese kanë përfituar nga të ashtuquajturat amnisti ndërtimore. Zbatuar në masë në vitin 1984 për banesat informale dhe të përshtatura si “dhuratë” nga qeveria për qytetarët, këto falje zyrtare kanë dhënë (për një tarifë që i jepej qeverisë) leje për të gjitha strukturat e ndërtuara ose të ndryshuara në mënyrë të paligjshme. Amnistia e fundit e tillë u miratua në vitin 2018, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. E lavdëruar nga AKP-ja si falja më e madhe e ndërtimit në historinë e republikës, përfshinte pothuajse 7.4 milionë ndërtesa dhe siguroi 24.19 miliardë lira turke (në atë kohë rreth 4.2 miliardë dollarë) si të ardhura të qeverisë. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe të Urbanizimit, këto para supozohej të përdoreshin për t’i bërë ndërtesat më të qëndrueshme ndaj tërmeteve.
Qeveria pretendon se, këto amnisti, pronarëve të shtëpive me të ardhura të ulëta dhe bizneseve të vogla ua ofrojnë mjetet ligjore për të ndërlidhur shtëpitë e veta me infrastrukturën bashkiake, por kritikët thonë se ato e promovojnë ndërtimin e banesave të pasigurta dhe të parregulluara. Amnistitë e ndërtimit nuk bëjnë dallim midis një gecekondu [ndërtim pa leje – shën. i përkth.] njëkatësh dhe një banese luksoze 18-katëshe.
Afro 294 mijë ndërtesave, në të gjithë rajonin e prekur nga tërmetet e javës së kaluar, u janë dhënë amnistitë e ndërtimit – kjo sipas shifrave të qasshme nga planifikuesi urban Buğra Gökçe, zyrtar i lartë i Bashkisë së Stambollit. Në kohën e tërmeteve të 6 shkurtit, një tjetër projektligj për amnisti ishte në pritje për miratim nga Parlamenti.
Se sa prej ndërtesave vdekjeprurëse janë përfshirë në amnisti, kjo ende është e paqartë. Derisa ekipet e shpëtimit ende janë duke gërmuar për të mbijetuarit, ka nisur kërkimi i dëshmive. Pas tërmeteve, ekspertët kanë paralajmëruar se është e domosdoshme që komisionet e pavarura ligjore të mbledhin mostrat e betonit, të trarëve dhe shufrave mbështetëse të çelikut – nga ndërtesat e shembura – dhe të kërkojnë lejet e ndërtesave dhe të dokumenteve të licencimit nga bashkitë, si dhe dëshmitë nëse nënkontraktorët kanë respektuar të gjitha standardet dhe rregulloret aktuale të sigurisë së ndërtesave. Avokatët e dërguar në zonën e tërmetit tashmë kanë paralajmëruar kolegët dhe publikun për përpjekjet për t’i zhdukur provat e tilla.
Nëse të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë duhet të përgjigjen para ligjit, së pari duhet të zgjidhet ky rrjet i korrupsionit, i nepotizmit dhe lakmisë. /Telegrafi/