Një avion special do t’i marrë të enjten pasagjerët që i kërkon Tribunali

18:03 | 08 Janar 2019

Me 14 janar disa ish-komandantë të UÇK-së do të intervistohen në Hagë.

Një avion charter, të enjten, do të udhëtojë drejt Holandës ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së.

Leja, autoriteteve kosovare, u është kërkuar të premten e shkuar, fillimisht për aterrim e më pas edhe prapakthim drejt aeroportit të Rotterdamit, që ndodhet 23.6 kilometra larg objektit të Zyrave të Gjykatës Speciale.

Të njëjtën ditë nga Kosova pritet të largohet edhe Sami Lushtaku që tashmë ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Hagë.

Autoritet kosovare, para katër ditësh kanë marrë një kërkesë nga Haga, për të lejuar aterrimin e më pa edhe ngritjen e një avioni charter nga Aeroporti i Prishtinës.

Në kërkesën të cilën e ka parë Gazeta Express, avioni charter (i marrë me qira) parashihet të fluturojë drejt Holandës, të enjten – 10 janar 2019 – në mëngjes.

Ai destinacion të fundit ka Raportin e Rotterdamit, 23.6 kilometra larg objektit të Dhomave të Specializuara për Kosovën dhe Zyrës së Prokurorit Special.

Autoritet kosovare ende nuk kanë përfunduar të gjitha veprimet për dhënien e lejes në fjalë.

Aprovim për këtë lloj fluturimi do të duhej të japë Ministria e Infrastrukturës, por burime e Gazetës Express kanë treguar se kërkesa në fjalë duhet të marrë edhe aprovime tjera nga institucionet kosovare, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Jashtme.

Ministria e Infrastrukturës të martën gjatë gjithë ditës nuk ka folur për këtë kërkesë, përkundër disa insistimeve të gazetës.

Informacionet rreth kësaj kërkese po i cilëson si sekrete nga të gjitha palët, shkruan Gazeta Express.

Njëjtë ka vepruar edhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, duke u arsyetuar se diçka e tillë është në kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.

“Kërkesat bëhen në Ministri të Infrastrukturës, ajo e aprovon. Ne nuk japim përgjigje, Ministria e Infrastrukturës e jep lejen. Nëse Ministria e bën aprovimin, pastaj e njoftojnë Aeroportin, pastaj vjen si plan te ne”, tha zëdhënësi i ASHNA-s Driton Ujkani.

Fluturimi parashihet të ndodhë një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka caktuar ta intervistojë ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi.

Por, intervistimi i paraparë të ndodhë më 9 janar 2019, më shumë gjasë nuk do të ndodhë. Shkak janë bërë proceduara që në rastin e Selimit janë shtesë, pasi ai ndodhet në burg në Kosovë, i dënuar për krime lufte.

E kësaj pengese, të hënën në mbrëmje i është shtuar edhe problemet shëndetësore që janë raportuar t’i jenë shfaqur Selimit, që ka çuar që i njëjti të përfundojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim mjekësor.

Kjo konfirmohet edhe nga avokati Tomë Gashi, që është pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-komandantit të TMK-së dhe FSK-së.

“Ne ekipi i avokateve jemi duke negociuar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e z.Sylejman Selimit në Prishtine për një datë të papërcaktuar kur gjendja e tij shëndetësore të normalizohet”, ka shkruar Gashi në facebook.

Se intervistimi mund të kryhet edhe në Kosovë, e konfirmoi edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Christopher Bennett, zëdhënës i kësaj zyre, ka thënë për Gazetën Express se intervistimet e Speciales mund të ndodhin edhe jashtë selisë së ZPS-së.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka selinë në shtetin pranues dhe mund t’i ushtrojë kompetencat dhe funksionet e saj në Kosovë, në shtetin pranues dhe në çdo shtet tjetër që bie dakord për atë. Përtej kësaj, Ligji nuk e specifikon se ku mund t’i kryejë intervistat Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës”, tha ai të martën.

Tutje, Bennett tregon edhe për pasojat ligjore që parashihen me Ligjin për Dhomat e Specialziuara dhe Zyrën e Prokurorit Special, në rast se dëshmitari nuk paraqitet në mënyrë të rregullt për intervistim.

Sipas zëdhënësit të ZPS’së, ligji ka ndjekur një qasje e mirë për një person që ka probleme shëndetësore, si në rastin e Syljeman Selimit.

“Ju lutem referojuni pikës 7 të nenit 42.7. Nëse dëshmitari që është thirrur në mënyrë të rregullt nuk paraqitet ose nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij ose në qoftë se ai largohet nga vendi ku ai duhet të merrej në pyetje pa leje apo ndonjë arsye të vlefshme, ai dëshmitar mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet”, tregona ai.

Sylejman Selimi, i dënuar më 7 vite burgim për krime lufte në Kosovë, parashihej të ishte i intervistuari i parë në Hagë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, nga të paktën 10 ish-ushtarë të UÇK-së që kanë marrë thirrje gjatë muajit të fundit të vitit 2018.

Por, të ftuarit e rregullt, Haga në ftesat që i kishte parë Gazeta Express, i njoftonte se udhëtimi i tyre do të ishte i rregullt, ndonëse shpenzimet do t’ua heqë tribunali. Madje, atyre ZPS-ja u ka dhënë edhe instruksionet për pajisje me vizë.

Gazeta Express, përmes burimeve, ka mësuar se të njëjtën ditë kur pritet të ndodhë ky fluturim charter, jashtë Kosovës do të udhëtojë edhe ish-komandanti i UCK-së për Zonën e Drenicës, Sami Lushtakut.

Ky i fundit para të hënës duhet të paraqitet në Hagë, sipas ftesës që ka marrë nga ZPS-ja për intervistim më 14 janar 2019.

Nga ana tjetër, në fundjavë për në Hagë do të udhëtojë edhe Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

Ish-komandanti i Llapit, që datë të intervistimit e ka të njëjtën me Lushtakun, drejt Hagës do të udhëtojë përmes linjave të rregullta të fluturimeve.

Në mungesë të fluturimeve direkte, ai do të niset nga Prishtina, për të bërë një ndalesë në një shtet tjetër, e më pas do të zbresë në Rotterdam të Holandës.

Komento: