Një ditë para atentatit, Kreshnik Mujeci organizoi festë në fshat – çifti u ekzekutua me mbi 30 plumba në Lezhë

21:13 | 26 Prill 2026

Një ngjarje e rëndë tronditi këtë të diel zonën e Balldrenit në Lezhë, ku u ekzekutuan me armë zjarri Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci, ndërsa udhëtonin me automjetin e tyre.

Detaje të reja hedhin dritë mbi orët e fundit të çiftit, duke e bërë edhe më dramatike ngjarjen. Vetëm një ditë më parë, ata kishin marrë pjesë në festimet tradicionale të Shën Marku në fshatin Koljakaj, ku prej katër vitesh organizohej një aktivitet komunitar nga vetë Kreshnik Mujeci, raporton agjencia NOA.

Sipas burimeve, festa ishte zhvilluar pranë kryqit në malin e zonës, duke mbledhur banorët në një atmosferë festive dhe bashkimi, si një traditë tashmë e përvitshme për komunitetin.

Ndërkohë, sot rreth orës 14:50, çifti po udhëtonte me një automjet tip “Audi Q7” në aksin Balldren–Torovicë, kur është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

Nga të dhënat paraprake mësohet se drejt mjetit janë qëlluar mbi 30 plumba, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy bashkëshortëve.

Autorët janë larguar nga vendngjarja pa lënë gjurmë, ndërsa forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kërkimet në zonë. Në ndihmë të hetimeve kanë mbërritur edhe specialistë të Krimeve të Rënda nga Tirana, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.

Çifti Mujeci ishin prindër të katër fëmijëve dhe merreshin me bujqësi dhe blegtori në zonë. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërsa një nga pistat e hetimit lidhet me konflikte të mëparshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Komento: