
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka shkruar sot se një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i 2010.
Haradinaj tha se shpallja e verdiktit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë është një nga vendimet më të mira që ka marrë Kosova, përcjell ORAinfo.
Sipas tij, tani Kosova është më e fortë se kurrë si shtet sovran dhe i pavarur.
Ja postimi i plotë:
Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.
Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.
Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike.