
Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në aktgjykimin e shkallës së parë, të shpallur më 16 shtator.
Në postimin e tij, Klestor Veseli ka rrëfyer momentet para dhe gjatë shpalljes së aktgjykimit, duke treguar se natën para vendimit kishte qëndruar pranë familjarëve të tij.
“Natën e 15 shtatorit, ia arrita të fle gjumë, por jo të pushoj. Atë natë kisha shkuar të shoh axhallarët e mi, të përqafoheshim fort dhe të mundoheshim t’ua japim një farë force e kurajo përballë asaj që na priste nesër”, ka shkruar ai.
Klestor Veseli ka thënë se familja kishte ruajtur optimizmin, por njëkohësisht ishte përgatitur për çdo skenar.
“Ne ishim optimistë dhe pozitivë, por refuzoja ta lëja asgjë nën dorë të rastësisë, doja të ishim të përgatitur për gjithçka”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe figurën e Adem Jasharit, duke e lidhur rrëfimin e tij me historinë e shqiptarëve dhe me periudhat e burgosjeve politike në ish-Jugosllavi.
Ndërkaq, duke përshkruar mëngjesin e 16 shtatorit, Veseli ka treguar se ishte nisur drejt Gjykatës Speciale në Hagë me familjarët e tij.
“Një natë më herët i kisha kërkuar hotelit të aranzhonte një taksi që të na dërgonte në drejtim të Gjykatës. Në mëngjes, gjatë rrugës po shihja jashtë dritares së automjetit makinat e ndryshme me tabela të huaja, por që ishin shqiptarë tanë”, ka shkruar ai.
Postimet e tij kanë përshkruar atmosferën familjare dhe momentet e tensionuara para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.






