Një javë pas fillimit të fushatës/ “Vetëvendosja” mban sekret programin zgjedhor, kritikohet nga opozita dhe analistët

08:08 | 17 January 2025
nje-jave-pas-fillimit-te-fushates/-“vetevendosja”-mban-sekret-programin-zgjedhor,-kritikohet-nga-opozita-dhe-analistet

Më 11 janar 2025 ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, për një muaj me radhë, partitë politike do të mbajnë tubime elektorale për ta prezantuar programin zgjedhor për të fituar besimin e qytetarëve për zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.

Partitë opozitare kanë prezantuar planprogramet e tyre zgjedhore, derisa Lëvizja “Vetëvendosje” ende nuk ka prezantuar ndonjë program zgjedhor, përveç sloganit  “cep më cep”.

Mos prezantimi i ndonjë programi nga partia aktuale që është në pushtet, po kritikohet nga opozita e analistët, duke e cilësuar se nuk kanë çfarë të prezantojnë dhe se kanë dështuar t’i mbajnë premtimet e programit të vjetër.

Derisa, nga Lëvizja “Vetëvendosje e thonë të kundërtën. Sipas tyre, në çdo Komunë ku ka filluar fushata elektorale po prezantohet nga një pikë e programit zgjedhor.

Thaçi: Mediat po e sabotojnë Vetëvendosjen, programi zgjedhor do prezantohet në fund të fushatës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Halil Thaçi, ka deklaruar se në çdo vend ku ka shkuar VV-ja është prezantuar një pjesë e programit zgjedhor, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka paraqitur nga një pikë të programit në çdo tubim.

Thaçi ka kritikuar mediat, siç ka thënë ai, për mbulimin e pakët të programit zgjedhor të partisë, duke thënë se ato kanë zgjedhur ta sabotojnë VV-në.

Deputeti Thaçi u shpreh se në përfundim të fushatës do të prezantohet i gjithë programi që është prezantuar nëpër Komuna.

“Në çdo vend ku po shkon VV-ja po e prezanton një pjesë të programit zgjedhor, në media nuk po dëgjohet mjaftueshëm programi, pasi mediat kanë zgjedhur ta sabotojnë VV-në. Në çdo tubim Kurti e prezanton nga një pikë të programit. Në përfundim të fushatës do të prezantohet i gjithë programi që është prezantuar në çdo komunë nga një pikë e programit”, u shpreh Thaçi për “Front Online”.

Nait Hasani: LVV-ja nuk ka çfarë të prezantojë, vetëm dështime dhe keqpërdorime

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka kritikuar Lëvizjen “Vetëvendosje” për mos prezantimin e një programi të ri zgjedhor, duke thënë se kjo parti nuk ka mundur të realizojë programin e kaluar dhe tani po tenton të dalë me të njëjtin program.

“Nuk ka program sepse s’ka mundur të realizoj programin e kaluar dhe mendon që me të njëjtin program të dalë edhe njëherë, me të njëjtin program i kemi parë dështimet”, u shpreh ai.

Hasani theksoi se dështimet e mëparshme të Qeverisë Kurti janë evidente dhe tani, sipas tij, LVV-ja po tenton të fshihet pas një programi të vjetruar, duke mos ofruar asgjë të re për qytetarët.

“Kurti mendon që pasi të fitoj zgjedhjet të tregoj program. Nuk kanë program të ri sepse s’kanë çfarë të prezantojnë të reja, por vetëm humbjet, hajnitë, keqpërdorimet”, theksoi Hasani për “Front Online”.

Bajrush Ymeri: “Vetëvendosja” nuk është parti serioze si LDK-ja, prandaj nuk ka prezantuar ende program

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bajrush Ymeri, ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se për një parti serioze nuk është në rregull të hyjë në garë zgjedhore pa pasur një program.

Ai theksoi se LDK-ja ka prezantuar programin në çdo tubim dhe se ky veprim i VV-së duhet të vlerësohet nga qytetarët më 9 shkurt.

“Për një parti serioze nuk do të ishte në rregull me hy në garë zgjedhore pa program. Të gjitha partitë e tjera e kanë përgatitë qysh më herët gjatë vitit 2022/2023 e kemi prezantuar dhe tani për këto zgjedhje po e prezantojmë në mënyrë të detajuar në çdo tubim që po mbahet. Kjo nuk është në rregull duhet ta vlerësojnë këtë veprim të VV me 9 shkurt”, tha ai.

Ymeri gjithashtu akuzoi VV-në se ka dështuar të realizojë projektet e programit të kaluar dhe se tani po e prezanton sërish programin e pa zbatuar.

“Ndoshta edhe nuk kanë program hiç sepse edhe mandatin e kaluar e kanë prezantuar një program, por nuk kanë realizuar asnjë projekt. Këta e kanë programin e mandatit të kaluar të pa zbatuar”, u shpreh Ymeri për “Front Online”.

Analisti Sadiku: Opozita ka prezantuar programet, LVV-ja mendoj të shkojë në zgjedhje me narracionin për veriun

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka kritikuar partisë që udhëheq me Qeverinë e vendit për mungesën e një programi zgjedhor konkret, duke theksuar se përveç pretendimit për shtrirjen e sovranitetit në veri, nuk është prezantuar asnjë plan i qeverisjes për këto katër vite.

“S’kanë për çfarë të bëjnë programin përveç narracionit për veriun që kinse kanë bërë shtrirje të sovranitetit. Për këto katër vite asnjë program për qeverisje s’kemi parë as s’do të shohim sepse udhëhiqet me një logjikë të oportunitetit sesa që ka diçka konkrete”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se aktualisht nuk ka logjikë të veprimit nga Qeveria, e cila po mbështetet vetëm në narracionin për veriun për të arritur sukses.

“Opozita kanë bërë një program të mirë, LDK për ekonomi PDK për arsim, AAK për siguri, pushteti s’ka logjikë të veprimit sepse vetëm me narracionin  e veriut mendojnë që kanë me pasë sukses”, deklaroi Sadiku për “Front Online”.

 

 

Komento: