Një klinikë private u mbyll sot në Prishtinë, ministri Ismaili jep detaje për aksionin

18:52 | 03 April 2019

Inspektorati ka mbyllur një klinikë private në Prishtinë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka dhënë më shumë detaje për aksionin e sotëm që zhvilluan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë arrestuar pesë punëtorë të një klinike private, të dyshuar për trafikim me organe njerëzore.

Ismaili ka thënë se aksioni i Policisë është zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, me ç’rast kanë gjetur shkelje të legjislacionit në fuqi për frytnimin e asistuar mjekësor.

Si rezultat, Inspektorati Shëndetësor i ka ndërprerë veprimtarinë shëndetësore të frytnimit të asistuar mjekësor klinikës në fjalë.

“Inspektorati Shëndetësor në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetime dhe Trafikim me Qenie njerëzore ka bërë të martën një inspektim në një klinikë private në Prishtinë dhe ka gjetur disa shkelje të legjislacionit në fuqi për Frytnimin e Asistuar Mjekësor. Si rezultat, Inspektorati Shëndetësor i ka ndëprerë veprimtarinë shëndetësore të frytnimit të asistuar mjekësor klinikës në fjalë. Interesi financiar nuk mund të vihet mbi shëndetin publik të qytetarëve tanë. Falënderim i veçantë për Policinë e Kosovës për bashkëpunimin në zbulimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve joligjore. #BashkëeNdreqim”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Komento: