Një muaj paraburgim për 16 të arrestuarit për fajde në Pejë

23:12 | 23 Shkurt 2022

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar sot kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 16 të arrestuarve për fajde.

“Ndaj të pandehurve Kismet Krasniqi, Isa Camaj, Sokol Dembogaj, Besnik Mehmetaj, Driton Podrimçaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alimusaj, Astrit Grabovci, Petrit Kastrati, Valon Kastrati, Alush Bajraktaraj, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj, Astrit Kastrati, caktohet masa e paraburgimit e cila mund të zgjas nga data 22.02.2022 nga ora 08:30 e gjer dt.22.03.2022”, thuhet në vendim.

Sipas prokurorisë, të arrestuarit akuzohen për dhënie të parave me fajde, presion, shtytje, kanosje dhe vepra të ngjashme që lidhen me këtë vepër penale.

Ndryshe disa nga të arrestuarit në këtë rast ishin të dyshuar edhe më parë për veprën fajde.

Arrestimi i tyre është bërë së fundi nga një aksion policor, e ku më pas janë ngrirë edhe një shumë e madhe e parave.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka realizuar të martën një aksion kundër krimit të organizuar, ku ka arrestuar 17 persona për fajde në Pejë.

Sahide Gashi, prokurore e çështjes nga Departamenti për Krimet e Rënda ka bërë të ditur se ka pasur hetime disa mujore lidhur me rastin.

“Hetime disa mujore dhe pas aksionit e kontrollit dhe sekuestrimit të kryer nga Drejtoria e për Hetime e Krimit të Organizuar në Prishtinë, kjo prokurori ka arritur të arrestojë 17 persona të dyshuar për vepër penale për fajde dhe detyrim si dhe janë ngrirë pasuri të cilat janë përllogaritur gjerë në këtë fazë që tejkalon shumën prej 5 milionë euro”, tregoi Gashi në konferencën e jashtëzakonshme të Prokurorisë së Pejës.

“Pas marrjes së informatave në fillim të nëntorit të 2021 ku sipas këtyre informatave ishin të përfshirë mbi 20 persona në këto vepra penale, kryeprokurori ka formuar një ekip hetues dhe kemi filluar hetimet zyrtare”, ka përfunduar ajo.

Ndërkaq, Ymer Ymeri nga Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt këtë të martë në Prokurorinë e Pejës, ka treguar se janë bastisur 17 shtëpi banimi, dhe katër biznese.

Si provë materiale janë sekuestruar 12 armë, prej tyre 8 armë të vogla dhe katër armë të gjata. Po ashtu u sekuestruan 10 vetura dhe 45 mijë e 700 euro para kesh.

Ymeri tregoi edhe pasuritë që u janë ngrirë personave të dyshuar për veprën penale fajde detyrim.

“Gjatë kontrollimit dhe bastisjeve të kryera në 21 lokacione, prej tyre 17 kanë qenë, prona shtëpi banimi ndërsa katër prej tyre kanë qenë biznes, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruara sot 12 armë, prej tyre 8 armë të vogla dhe katër armë të gjata.

Gjithsej kanë qenë fishekë të kalibrave të ndryshëm 544, 10 vetura, dokumente të ndryshme, bëhet fjalë për fatura, kontrata dhe fletore të ndryshëm relevante për rast si dhe 45 mijë e 700 euro para kesh. Lidhur me rastin në fjalë. Por tek ato të ngrira janë, 20 banesa, janë diku 104 parcela tokë, 80 parcela ku ndahen 21 parcela tokë ndërtimore ndërsa pjesa tjetër e parcelave është tokë bujqësore”, tregoi Ymeri.

Komento: