Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj Mrika Nikçit.
Është caktuar masa prej një muaj paraburgim për F.B., i cili, mbrëmjen e së martës, sulmoi seksualisht Mrika Nikqin.
Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Pejë, në seancën e sotme të gjykatës.
Kërkesën për paraburgim prej 30 ditësh e ka bërë Prokuroria e Pejës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Me datë 27 shtator ka ndodhur rastit i veprës penale të “Sulmit Seksual” dhe për këtë çështje penale kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitet relevante policore. Pas punës intensive është bërë e mundshme identifikimi i personit të dyshuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar fillimisht për 48 orë.”
Në vendimin e gjykatës, avokati i të dyshuarit citohet të ketë thënë se, gjatë kryerjes së veprës, i pandehuri ishte nën ndikimin e alkoolit.
Në vendim po ashtu potencohet se F.B. i ka kërkuar falje viktimës, Mrika Nikçit dhe familjes së saj, pasi babai i të dyshuarit ka pasur edhe raporte pune me familjen Nikçi.
Avokati i tij e ka arsyetuar veprimin e F.B. nën pretendimet se, duke qenë nën ndikim të alkoolit, i njëjti nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet, ndaj ka propozuar që të pandehurit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
“Gjendja e tij ka qenë nën ndikimin e alkoolit, sipas tij tregon se sjelljet që i ka pasur gjatë kryerjes nuk janë të tij, ka qenë në gjendje që edhe vetë i pandehuri nuk mund të shpjegojë duke marrë parasysh këto rrethana nuk mendoj që ka rrezik të arratisjes dhe as të kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale. I propozoj gjykatës që të pandehurit t’i shqiptohen njëra nga masat alternative të cilat janë adekuate për të pandehurin, konkretisht propozoj masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në vendimin e gjykatës.