Një nga 23 të prangosurit për rastin e patentë shoferëve është zyrtar i AAK-së.
Edhe një zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është duke u dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Bëhet fjalë për Haki Jasharin, i cili njëherësh është edhe drejtori i Qendrës kryesore familjare në Obiliq, komunë kjo e udhëhequr nga Xhafer Gashi i AAK-së.
Këtë, për Kohavisionin e ka konfirmuar edhe nënkryetari i kësaj komune.
Duke folur për masat që do të ndërmerren ndaj Jasharit, Mjekiqi ka thënë se i njëjti nuk do të amnistohet dhe se do të veprohet në përputhje me ligjin.
Derisa Jashari dhe të prangosurit e tjerë ndodheshin në gjykatë, punëtorët e kësaj qendre të mjekësisë familjare, kanë thënë se i njëjti është në pushim dhe se do të kthehet në punë të hënën.
Kujtojmë se Haki Jashari është në mesin e personave ndaj të cilëve prokuroria u tërhoq në kërkesën për mbajtje derisa gjykata do të vendos brenda 48 orëve për masën ndaj 23 të dyshuarve.