Një rast i kontrabandës parandalohet në Viti, dy të arrestuarit janë të njohur për policinë

16:43 | 28 Shtator 2022

Parandalohet një rast i kontrabandës në Viti, dy të arrestuarit janë të njohur për policinë.

Policia është informuar sot se nga fshati Debelldeh të Vitisë janë duke lëvizur disa automjete të dyshuara dhe se njëra prej automjeteve ka të ngarkuara mallra të kontrabanduara, të sjellura nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve ilegale.

Policia ka arritur ta ndalojë automjetin pa targa të cilin e ngiste i dyshuari mashkull kosovar me iniciale Sh. M. dhe bashkë me të ndodhej edhe personi tjetër, mashkull kosovar i moshës 52 vjeçar, të dy nga Vitia.

“Dy të dyshuarit janë të njohur për Policinë Kufitare si përsëritës të kësaj vepre penale. Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuar mallra të ndryshme në sasi të mëdha si: pjesë të ndryshme për telefona si për “iphone 12 pro” dhe për “samsung”, mjaltë, arra indiane, badem dhe një numër jashtëzakonisht të madh të filterëve për cigare, të cilat ishin të kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë Veriore përmes fshatit Debëlldeh në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare në Lindje.

“Me urdhër të prokurorit kompetent për personin e dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor për vlerësim nga e Dogana e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Komento: