Një vit nga vendosja e taksës 100 për qind, bizneset kërkojnë reciprocitet tregtar.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte vendosur tarifën doganore prej 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake që vijnë në drejtim të Kosovës.
Përfaqësues të biznesit thonë se vendosja e tarifës 100 për qind e ka qenë pozitive dhe se kjo duhet të kthehet në reciprocitet.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, për Telegrafin ka thënë se me reciprocitet Kosova përfiton më shumë edhe në aspektin ndërkombëtar.
“Ne mendojmë që kjo tash e tutje duhet të kaloj në reciprocitet e jo në taksë, sepse është duke e dëmtuar [Kosovën] edhe në aspektin ndërkombëtar, kështu që me reciprocitet Kosova përfiton shumë më shumë, ndërkohë që me Serbinë të krijojmë një bllokadë afatgjate sepse kjo nuk i njeh produktet e institucioneve tona”, tha Krasniqi.
Ai ka shtuar se shumë produkte serbe [dhe boshnjake] janë zëvendësuar me produkte nga BE-ja dhe rajoni.
“Në bazë të analizave që i kemi bërë si Odë e Afarizmit, kemi ardhur në përfundim se efekti i tarifës 100 për qind ka qenë pozitiv dhe me këtë qytetarët dhe biznesi e kanë parë që munden pa produktet serbe. Produktet serbe janë zëvendësuar me produktet më të mira të Bashkimit Evropian edhe të rajonit, kjo ka kontribuar në kualitetin më të mirë, sepse produktet serbe gjithmonë kanë qenë të rrezikshme sipas analizave nga kanë ardhur”, u shpreh ai.
Për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, vendosja e reciprocitetit do ta detyroj Serbinë që t’i zbatoj marrëveshjet e mbetura.
“Edhe nëse mbetet kështu tarifa 100 për qind është e këndellshme për ekonominë e vendit, por edhe nëse kthehet në reciprocitet ajo do të ringjall shumë marrëveshje që janë të vdekura nga Serbia dhe do të detyrohet t’i zbatoj”, tha për Telegrafin, Shahini.
Ai tha se tarifa 100 për qind e ka goditur ekonominë e Serbisë në raport me Kosovën.
“Tarifa 100 për qind, në dukje e ka goditur rëndë ekonominë e Serbisë, por kjo në ekonomi është vlerësuar si term i vrazhdë dhe tash ajo po kërkohet të kthehet në reciprocitet, gjë që edhe kjo do të jetë po aq e rëndë, po aq e vështirë, sa që Serbia do të pajtohet që më së miri ta njeh Kosovën në mënyrë të mos tarifa as të mos ketë reciprocitet”, tha ai.
Ndërsa, pronari i kompanisë Laberioni, Bashkim Osmani, e cila merret me prodhimin e lëngjeve, tha për Telegrafin se shumë biznese vendosjes së reciprocitetit e kanë kërkuar më herët.
“Ne që na viti 2013 kemi kërkuar reciprocitet në raport me Serbinë, ku kjo masë ka qenë e mirëseardhur. Në aspektin e industrisë ushqimore, Serbia e ka humbur tregun, në minimum 80 për qind. Përveç reciprocitetit, ne duhet të kemi favore të tjera, bie fjala të favorizohemi në eksport, ku Serbia ka kushte më të mira, po flas në aspektin ekonomik apo në politikat fiskale”, tha Osmani.
Ai thekson se edhe pse tarifa e ka rritur koston, bizneset e kanë përballuar atë.
“Kemi kosto më të lartë por nuk do të thotë që na sjell problem, sepse ne qysh moti kemi kërkuar reciprocitet dhe të jemi të barabartë. Na ka rënduar në kuptimin e kostove dhe transportit, por jo edhe gjërave të tjera, por ne e kemi përballuar”, tha ai.
Kujtojmë se më 6 nëntor të vitit të kaluar, ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën prej 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovinë, ndërsa më 21 nëntor këtë tarifë e rriti në 100 për qind.