
Një vit pas vrasjes tragjike të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, dhimbja për familjen e saj mbetet po aq e fortë. Prindërit e së resë kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës.
Flamur dhe Gëzime Sula kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai vendos lule të freskëta.
Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.
Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. Ajo thotë se jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë më 2 prill.
“Jeta jonë u ndal atë ditë. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, rrëfen ajo mes dhimbjes.
Babai i saj tregon se Ilaria kishte shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo studionte Statistikë dhe pritej të diplomohej në tetor, ndërsa synonte të punonte në fushën financiare.
Gëzime Sula u shpreh ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma.
“Ajo nuk është nënë. Ata shkelën mbi gjakun e vajzës sime. Nuk ka falje, kurrë”, u shpreh ajo.
Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares vazhdon ende dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.
“Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të kujtohet për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.
Trupi i pajetë i studentes shqiptare u gjet më 2 prill 2025 në një valixhe të hedhur në një humnerë në një zonë të pyllëzuar.
Sipas hetimeve, ajo u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili pas krimit përdori telefonin e saj dhe publikoi në rrjetet sociale për të fshehur zhdukjen e saj./A2CNN