Liberalizimi i vizave ka qenë prej kohësh një nga temat kryesore në Kosovë. Për shumë qytetarë, kjo nuk ishte thjesht çështje udhëtimi, por një hap i madh drejt lirisë më të madhe, mundësive për studime, punësim dhe përvoja ndërkombëtare.
Pas një pritjeje të gjatë dhe një procesi të ndërlikuar, kjo ëndërr u bë realitet më 1 janar 2024. Ky vit tashmë do të mbahet mend si një moment historik në procesin e integrimit të vendit në bashkësinë ndërkombëtare. Viti 2024 është shquar si ‘Viti pa Viza’, duke simbolizuar lëvizjen e lirë dhe një hap të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
Nxitja e interesit të qytetarëve që të nisnin udhëtimet jashtë vendit ishte i menjëhershëm. Madje njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, tha për FrontOnline se shuma prej 100 eurosh për aplikim për vizë më parë kishte penguar shumë individ që ta konstatonin të papërballueshme dhe të mos aplikonin.
“Liberalizimi i vizave ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të qytetarëve që udhëtojnë jashtë vendit, pasi është eliminuar kostoja e aplikimit për viza, që më parë ishte një pengesë financiare për shumë individë. Shuma prej 100 eurosh për aplikim për vizë, por edhe kostot shtesë të sigurimit në udhëtim, që për shumë qytetarë ishte e papërballueshme, shpesh i ndalonte ata të udhëtonin. Me liberalizimin, kjo pengesë është hequr, duke e bërë udhëtimin më të qasshëm dhe të lehtë për planifikim”, deklaroi Qerimi.
Ai potencoi se përkundër eliminimit të kësaj kostoje, shpenzimet totale për udhëtim mund të jenë rritur, duke përfshirë bileta, akomodim, ushqim dhe aktivitete jashtë vendit. Kjo sepse qytetarët tani janë më të prirur të shpenzojnë për të përfituar nga mundësia e udhëtimit pa viza.
Qerimi theksoi se liberalizimi i vizave ka nxitur një interes më të madh për udhëtimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ata që më parë e konsideronin udhëtimin të paarritshëm për shkak të kostove apo vështirësive të procesit të aplikimit.
Gati 4 milionë udhëtarë kaluan nga linjat e Aeroportit të Prishtinës pas liberalizimit të vizave
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka bërë të ditur për FrontOnline se katër milionë pasagjerë kanë shfrytëzuar linjat e ANP-s për këtë vit. Shifër kjo e cila përfshinë udhëtarët nga fillimi i vitit deri në dhjetor 2024.
Gara theksoi se katër nga destinacionet më të vizituara nga kosovarët ishin: Zvicra, Gjermania, Turqia dhe Austria.
Cilat ishin dy shtetet më të vizituara nga kosovarët pas liberalizimit të vizave? Flasin nga “Eurokoha”
Pas liberalizimit të vizave dy nga shtetet më të vizituara nga qytetarët e Kosovës vazhdojnë që të qëndrojnë: Zvicra dhe Gjermania.
Këtë e konfirmoi kompania ajrore “EuroKoha”. Në një përgjigje për Frontonline, nga kjo kompani thanë se këto dy shtete janë frekuentuar njëjtë si para, ashtu edhe pas liberalizimit të vizave.
“Duke e pas parasysh që shumica e mërgatës kosovare gjinden në Zvicër dhe Gjermani, po të njëjtat janë më të frekuentuarat para dhe pas liberalizimit të vizave”, kanë thënë nga kjo kompani.
“Eurokoha” konfirmoi se ka pasur një rritje për 50% sa i përket numrit të udhëtarëve që kanë vizituar shtetet e huaja pas liberalizimit të vizave. Ndër të tjera, ata treguan edhe për shtimin e disa rregullave me të cilat janë ballafaquar udhëtarët pas liberalizimit.
“Po, rritja ka qenë mjaft e ndjeshme sidomos në fluturimet që janë nisur nga Kosova. Sa i përket përqindjes, bëhet fjalë rreth apo mbi 50 për qind të udhëtarëve. Pas liberalizimit të vizave, udhëtarët janë ballafaquar me disa rregulla të cilat duhen respektuar në rast udhëtimi. Çdo biletë e blerë duhet të jetë kthyese dhe jo më shumë se 90 ditë qëndrim. Poashtu preferohet të bëhet edhe sigurimi shëndetësor (jo i domosdoshëm) dhe të ketë një shumë të hollash për shpenzime ditore prej 50 – 80 eurosh (jo e domosdoshme)”, thanë nga kjo kompani fluturimesh.
Edhe pas liberalizimit të vizave pati kërkesa për azil të paraqitura nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Javë më parë një raport i komisionit Evropian i’u dorëzua Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, ku theksohej se në shtatë muajt e parë të vitit 2024 janë paraqitur 3 mijë e 905 kërkesa në shtetet anëtare të BE-së, apo 108 % më shumë krahasuar me të njëjtë periudhë të vitit 2023. /FrontOnline/