Deputeti gjerman: Është mirë që edhe BE’ja të ketë përfaqësues special për dialogun, sikurse SHBA-ja.
Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Peter Beyer, ka thënë se emërimi i Matthew Palmerit si përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është një lajm i ri, megjithatë shprehet se nuk e di çfarë të mira mund të sjellë emërimi i tij.
Beyer ka thënë se e sheh të udhës që edhe Bashkimi Evropian të emërojë një përfaqësues special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të kishte kontribut konstruktiv për vazhdimin e dialogut.
“Me z.Palmer kemi kontakte të vazhdueshme. Jemi takuar disa herë në Washington, madje një herë rastësisht edhe në Prishtinë. Palmer e njeh rajonin, dhe është vërtetë një lajm i ri që ai është emëruar si përfaqësues special për rajonin. Mirëpo nuk e di çfarë të mira do të na sjellë ky emërim. Por pavarësish kësaj mendoj që edhe Bashkimi Evropian duhet ta emërojë një përfaqësues të veçantë sa i përket dialogut Serbi-Kosovë, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në mënyrë të sinqertë dhe në aspektin konstruktiv që të vazhdohet dialogu”, ka thënë Beyer në konferencën për media pas takimit me zyrtarë të lartë të LDK’së në Prishtinë.
Beyer ka thënë se amerikanët janë akterë të rëndësishëm për Ballkanin dhe aleat të Gjermanisë, duke shpresuar se do të kenë kontribut pozitiv në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Amërikanët janë akterë të rëndësishëm për Ballkanin, po ashtu janë aleatë të Gjermanisë. Kam pasur takime të shumta, dhe besoj për një kontribut pozitiv të tyre”, ka shtuar deputeti i CDU’së se kancelares Angela Merkel.
Në fund ai ka folur edhe për mundësinë që Matthew Palmer se shpejti të vizitojë edhe Ballkanin.
“Më duket javën e kaluar ai është takuar me Vuçiqin dhe Sekretarin , dhe besoj që së shpejti do të jetë edhe këtu në Ballkan”, ka thënë ndër të tjera Beyer.
Deputeti gjerman ka përsëritur gjithashtu qëndrimin gjerman kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve, duke thënë se Kosova duhet të mbetet ashtu siç është.