Regjistrimi i nxënësve për klasa të para ka filluar në të gjitha shkollat.
Procesi i regjistrimit të nxënëseve për klasat e para për vitin shkollor 2019/2020 tashmë ka filluar në të gjitha shkollat e ciklit të ulët në Kosovë.
Edhe pse ende nuk dihet numri i saktë i nxënëseve që do të regjistrohen në Prishtinë, zyrtarë komunalë thonë së për këtë vit shkollor pritet të regjistrohen rreth pesë mijë fëmijë.
Fëmijëve, të cilët presin të regjistrohen këtë vit për në klasën e parë, u ka mbetur edhe pak kohë për t’u regjistruar, sepse konkursi do të mbyllet me 6 qershor.
Ardiana Ismaili, zyrtare e lartë për arsim në Komunën e Prishtinës, tha për Radio Kosovën se shkollat publike të kryeqytetit kanë hapësirë të mjaftueshme për të gjithë fëmijët që do të regjistrohen në klasën e parë.
“Në këtë vit parashihen të regjistrohen rreth pesë mijë fëmijë. Të gjitha shkollat janë të përgatitura për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë. Drejtoria e Arsimit ka bërë zonimin qysh para dy viteve dhe respektohet po i njëjti zonim në të gjitha shkollat, por nëse në atë shkollë është numri i plotësuar duhet të drejtohet në shkollën me të afërt që kanë”, ka thënë Ismaili.
Ndërkaq, drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, ”Faik Konica”, Xhylie Bala, tha se interesimi i prindërve për regjistrimin e fëmijëve në këtë shkollë është shumë i madh, pasi që shkolla është në qendër të qytetit.
“Në këtë vit shkollor kemi planifikuar t’i pranojmë 180 nxënës, sepse kemi gjashtë mësuese. Kërkesat e prindërve janë jashtëzakonisht të mëdha, na mbingarkojnë jashtëzakonisht shumë prindërit të cilët punojnë në këtë zonë të shkollës “Faik Konica””, u shpreh Bala.
Mbingarkesë të madhe na bëjnë edhe prindërit që punojnë dhe janë qiraxhinj në këtë pjesë.
Dokumentet e nevojshme për të regjistrim janë certifikata e lindjes nga libri amë dhe vërtetimi për marrjen e vaksinimit të fëmijës.
Ndryshe, regjistrimi në klasë të parë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që kanë arritur moshën 6 vjeçare.