Në të gjitha shkollat e Kosovës sot do të mbahet grevë njëorëshe.
SBASHK-u ka shpallur grevë njëorëshe për sot në shkollat e Kosovës, për shkak të paralajmërimit se mund të votohet projektligji për pagat së bashku me Projektligjin e Buxhetit 2019.
Drejtuesit e kësaj sindikate kanë thënë se me këtë projektligj janë të injoruar krahasuar me sektorë të tjerë.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari ka thënë se me projektligjin për paga, koeficienti për arsim duhet të jetë 2.6.
Ai ka thënë se greva njëorëshe në çerdhe do të jetë prej orës 07:00 deri në orën 08:00.
Në të gjitha shkollat e Kosovës greva nis në orën e parë të të gjitha ndërrimeve, kurse në Universitetin e Prishtinës greva do të mbahet prej orës 08:00 deri në orën 09:00.
Nëse nuk plotësohen kërkesat edhe pas kësaj greve njëorëshe, SBASHK-u paralajmëron një grevë tjetër më 14 janar në të gjitha shkollat e Kosovës.