Komunikata e Qeverisë: Opozita mbështeti Qeverinë për respektimin e ligjshmërisë në krejt territorin.
Zyra e Kryeministrit ka dalë me komunikatë për takimin që pati sot kryeministri Kurti me krerët e opozitës.
Në njoftim thuhet se opozitarët shprehen mbështetjen ndaj Qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në të gjithë Republikën e Kosovës, por nuk u përmend edhe kundërshtia e tyre për çështjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas ftesës së dërguar liderëve të subjekteve opozitare parlamentare, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shoqëruar nga Bedri Hamza; kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shoqëruar nga Ardian Gjini. Në këtë takim të ftuar pas zhvillimeve të fundit në vend e sidomos në veri të vendit, u diskutua për situatën aktuale në Republikën e Kosovës”, thuhet nw njoftim.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, njofton ZKM.
“U theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti i falënderoi liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim”.