Njoftimi i rëndësishëm për nxënësitë, do të mësohet me tekste të reja shkollore

17:25 | 27 December 2018

Viti i ri shkollor 2019/20 do të fillojë me një risi për nxënësit, pasi që do të mësojnë me tekste të reja shkollore.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në konferencën e fundvitit, ka bërë të ditur se buxheti i kësaj ministrie për vitin e ardhshëm është rritur për 11.2 milionë euro.

Ai ka thënë se puna e parë me të cilin është marrë gjatë këtij viti ka qenë Qendra Kombëtare për njohjen e diplomave “NARIC” dhe se studentët, të cilët kanë pritur me vite për nostrifikimin e një diplome, tash i kryejnë procedurat për një kohë të shkurtër.

“Padyshim që kemi pasur sfida, kemi qenë të detyruar të merremi me problemet që kanë qenë të grumbulluara në MASHT. Gjëja e parë që kemi qenë të detyruar ta bëjmë ka qenë përmirësimi i NARIC-ut. Kemi arritur që NARIC-u të mos jetë më problem po arritje për MASHT-in”, ka thënë Bytyqi.

Lidhur me vlerësimin e mësimdhënësve qe filloi këtë vit, ministri Bytyqi tha se qëllimi nuk ishte që t’i largojë ata nga puna, por ta ngritin cilësinë në arsim.

“Vlerësimi i mësimdhënëse ishte zotim i yni që filloi në tetor. Konsideroj se me këtë vendim kemi bërë një hap pozitiv në ngritjen e cilësisë së arsimit”, ka thënë ai.

Këtë vit u mor vendim për ndalimin e telefonave në shkolla, e ministri Bytyqi tha se këtë vendim e mori duke u bazuar në ankesat e drejtorëve të shkollës, sipas të cilëve telefonat po e pengonin orën mësimore.

Bytyqi përmendi edhe vendimin rritjen e buxhetin të bursave, me ç’rast 681 studentë të arsimit të lartë publik do të marrin bursë në vlerë prej 880 eurosh. Rritje të buxhetit të bursave përfituan edhe studentët e doktoratës, të cilët nga 2500 tashmë do të marrin bursa në vlerë 7500 eurosh.

Për vitin e ardhshëm, kreu i MASHT-it është zotuar se testin e maturës do ta organizojnë më mirë se vitet e kaluara, ndërsa viti i ri shkollor 2019/20 do të vijë me tekste të reja shkollore.

“Për herë të parë do të ketë tekste shkollore edhe për mësimdhënësit, jo vetëm për nxënësit”, ka njoftuar Bytyqi.

Ndryshe, i pari i MASHT-it u ka bërë thirrje DKA-ve dhe shkollave që të bashkëpunojnë me ministrinë që ai drejton, me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit.

Komento: