Njofton OBSH, rekord i numrit të rasteve ditore me koronavirus

19:25 | 22 June 2020

OBSH ka njoftuar se është shënuar rekord i numrit të rasteve ditore me koronavirus.

OBSH’ja raporton se 183 mijë persona në botë rezultuan pozitivë me Covid-19 brenda 24 orëve, një rekord i ri ky që prej kulmit të pandemisë.

Brazili dhe SHBA’ja, të ndjekur nga India, janë vendet që nuk po arrijnë ta ndalin trendin e sëmundjes infektive.

Koronavirusi ka infektuar një numër rekord personash brenda ditës, me popujt amerikanë ndër më të prekurit nga epidemia vdekjeprurëse.

183 mijë raste të reja pozitive në 24 orët e fundit e rritën të hënën në afro 9 milionë bilancin e bartësve të infeksionit, ndërsa viktimat iu afruan shifrës 470 mijë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm Brazili raportoi në fundjavë mbi 54 mijë raste në ditë, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 36 mijë, dhe India me 15 mijë raste ditore.

Në SHBA, numri i jetëve të humbura nga koronavirusi gjithashtu pësoi rritje drejt 120 mijë viktimave, ndërsa infeksionet e reja po përhapen së fundmi në Jug dhe në Perëndim.

Në Evropë, autoritetet gjermane kërkuan ndërhyrjen e policisë për të izoluar zona të tëra të banuara që prej ditësh po goditen nga një valë e re epidemike.

Javën e kaluar, vetëm në një nga thertoret më të mëdha të vendit, infeksioni preku gati 1 mijë punonjës që së bashku me mijëra familjarë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në karantinë.

Por ky izolim i detyrueshëm në zonat me të ardhura të ulëta të Gjermanisë, dhe mungesa e furnizimeve ushqimore, ka rritur edhe tensionet mes disa banorëve dhe forcave të policisë.

“Kam parë mishra që na jepen përtej datës së skadencës. Unë vetë kam bërë dy teste, nuk kam pasur as korona, as gjë tjetër. Kam një punë për të bërë dhe nuk më lejohet.”

“Si shef i policisë së Gëtëngenit, vërej se qasja e banorëve është përshkallëzuar së fundmi. Oficerët janë goditur me shishe, shufra metali, dërrasa, objekte shtëpiake dhe fishekzjarrë. Situata e banorëve është e vështirë, por për sulmet ndaj oficerëve nuk do ketë aspak simpati.”

Rusia informoi gjatë ditës për mijëra të infektuar të rinj, sikundër edhe Afrika e Jugut në kontinentin afrikan, por autoritetet vijuan me lehtësimin e masave të karantinës.

Në Azi, kryebashkiaku i Koresë Jugore shprehu frikën se vendi po humbet kontrollin ndaj sëmundjes infektive dhe nëse numri i infeksioneve në ditë e kalon shifrën 30 përgjatë tri ditëve të ardhshme, do të rivendosen masat e rrepta të distancimit social.

Edhe Kina raportoi 19 raste të reja, gjysma e tyre në Pekin.

Kryeqyteti ka konfirmuar katër zona me rrezik të lartë dhe po aplikon një strategji të testimit në masë të popullatës që nisi të hënën me 100 mijë korrierët të restoranteve dhe kompanive postare.

Komento: