Njohësi i ekonomisë: Pakoja Emergjente e qeverisë, e pamjaftueshme

23:05 | 05 Prill 2020

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka folur edhe rreth Pakos Emergjente të ndarë nga qeveria e Kosovës për të ndihmuar sektorin privat pas krizës së koronavirusit.

Ai ka thënë se mbështetja e tillë është për t’u përshëndetur, por kjo duhet të jetë vetëm hapi i parë i ndihmave drejt sektorit privat që ka pësuar më së shumti nga kjo situatë.

Gërxhaliu për lajmi ka thënë se Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga institucionet financiare ndërkombëtare që të sanohen dëmet e koronavirusit.

“ Në rend të parë mbështetet një angazhim i tillë i institucioneve për ta mbështetur sektorin privat por duhet të kemi parasysh se Kosova ka hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar, në këtë vit kalendarik pa rezerva shtetërore, pa rezerva emergjente dhe kjo e bën të vështirë që qeveria të marrë hapa më të mëdhej. Por, 170 për të punësuarit në mënyrë legale ose me letra është më tepër ndihmë sociale sesa një pagë, por duhet të kuptohet qeveria se nëse kemi rënie të të hyrave nga dy institucionet kryesore ATK dhe Dogana e Kosovës atëherë do të jetë e vështirë të arrihet përmbushja e buxhetit por sidoqoftë dua të besoj që ky miratim dhe kjo pako është vetëm një hap i parë sepse Kosova do të ketë nevojë për ndihmë shtesë për sektorin privat. Duhet të kuptojmë se vetëm në qoftë se rritet qarkullimi i parasë në masë atëherë do të kemi një gjenerim ekonomik dhe defenitivisht Kosova nuk e meriton ngulfatjen ekonomike duhet institucion financiar që të jetë motor i lëvizjes së ekonomisë dhe sigurisht konsumi duhet të jetë i pari dhe në këtë drejtim në qoftë se nuk mund të arrihen këto kërkesa të sektorit privat të përmbushen nga buxheti duhet të forcohen marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe të kërkohet ndihmë nga shtetet e BE-së dhe më gjerë, dhe ajo që e dëmton Kosovën më së shumti është që edhe kjo situatë pandemike është politizuar dhe politikanët në vend që të kërkojnë ndihma si t’i sanojnë pasojat e koronavirusit, vendet e BE-së dhe më gjerë apelojnë në Kosovë për stabilitet politik.”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka folur edhe rreth buxhetit të vitit 2020 të cilin e ka quajtur të natyrës sociale më tepër sesa të natyrës zhvillimore.

Ai tha se para qershorit duhet të rishikohet buxheti dhe të rialokohen mjetet në sektorët ku ka nevojë e gjithashtu tha se është e nevojshme të barazohet sektori privat me atë publik.

“Buxhetin unë edhe në fillim e kam quajtur buxhet i natyrës sociale sesa i natyrës zhvillimore sepse me 2.3 miliardë buxhet me këtë ngarkesë të aspektit social është e pamundur të kemi zhvillim ekonomik dhe kur kësaj i shtohet që po hymë në fazën ku të hyrat janë në ulje nuk mund të pritet mrekulli nga ky buxhet por është mëse evidente që Kosova ka nevojë që ky buxhet të rishikohet më së paku në muajin e gjashtë dhe të bëhet një rishikim dhe një rialokim i mjeteve aty ku ka nevojë më tepër dhe duhet të mirren përvoja nga vende të zhvilluara në rajon, Evropë dhe më gjerë dhe të sillen në Kosovë që të kemi një qasje në rrafsh horizontal të barazimit të sektorit privat dhe sektorit publik. Nuk është morale që do të thotë paratë e sektorit publik të jenë të garantuara derisa ato paga i siguron dhe gjeneron sektori privat dhe sektori privat të jetë i diskriminuar, një qasje e tillë do të jetë demotivuese dhe do të kemi performancë edhe më të ulët nëse nuk gjendet modaliteti i motivimit.”, tha Gërxhaliu.

Duke klikuar në linkun e mëposhtëm mund të lexoni të plotë intervistën me Gërxhaliun lidhur me situatën ekonomike në Kosovë, Pakon Emergjente të qeverisë, buxhetin e Kosovës dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Komento: