Arton Muhaxheri, njohës i ekonomisë, për FrontOnline ka theksuar se kritikat e Albin Kurtit kur ishte në opozitë janë zbatuar ndryshe kur ai ka ardhur në pushtet.
‘’ Nuk mendoj se ka diçka në Kosovë që Kurti, si opozitar, e ka kritikuar dhe nuk e ka bërë vetë si pushtetar, madje edhe më keq’’ thotë ai.
Sipas Muhaxherit, një shembull i qartë i kësaj është rasti i pagesave për qira të objekteve që përdoren nga institucionet shtetërore, ku vlera e shpenzimeve ka arritur në 9.67 milionë euro, më e larta që ka paguar ndonjëherë ndonjë qeveri që nga paslufta.
‘’ Një shembull është rasti i pagesave të qirave për shfrytëzimin e objekteve për institucionet shtetërore, ku vlera prej 9.67 milionë euro është më e larta që ka paguar ndonjëherë ndonjë qeveri që nga paslufta për qira’’ deklaroi ai për FrontOnline.
Ai theksoi se kjo tregon për një menaxhim të dobët dhe planifikim të papërgjegjshëm të Qeverisë, duke përmendur mundësinë e përfitimeve personale dhe dëmtimin e buxhetit.
‘’ Kjo tregon disa elemente ku, fillimisht, nuk përjashtohet mundësia e përfitimeve personale të ndonjë pale, ashtu sikurse paraqet edhe një planifikim të dobët të kësaj qeverie.’’ shtoi ai.
Muhaxheri theksoi se është më e rëndësishme të shqyrtohet veprimi i Kurtit, sesa çfarë ai thotë, duke kritikuar mënyrën se si është menaxhuar ky proces në pushtet.
‘’Po ashtu, ky është një dëmtim i buxhetit dhe një mungesë e ndonjë alternative për të minimizuar shpenzimet e qirave. Prandaj, po them se nuk ka rëndësi çfarë thotë Kurti, por është më e rëndësishme se si vepron ai’’ përfundoi njohësi i ekonomisë.