Njohësit e ekonomisë, reciprocitetin e shohin si hap pozitiv – AAK-ja fuqishëm kundër.
Heqja e taksës së vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj pritet të jetë një nga vendimet e para të kreut të ri të Qeverisë Albin Kurti.
Kurti taksën e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, në fund të vitit 2018, ka paralajmëruar se do ta zëvendësojë me reciprocitet, raporton KTV.
Vendosja e reciprocitetit, sipas njohësve të ekonomisë, është hap i vështirë.
Naim Gashi, ekonomist, vlerëson se vendosja e reciprocitetit do të duhej të bëhej pas zotimit të Serbisë se do të ndalë fushatën agresive ndaj Kosovës.
Kurse ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se vënia e reciprocitetit do të ishte hapi i parë drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.
E zëvendësimi i taksës me reciprocitet, sipas qytetarëve, do të ishte hap i duhur.
Lidhur me paralajmërimin se taksa ndaj Serbisë do të hiqet, partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj të martën do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme.
Në këtë mbledhje, sipas njoftimit të AAK-së, ndër të tjera, do të diskutohen hapat që do të ndërmerren për të kundërshtuar një vendim të tillë.