Njohësit e integrimeve nuk presin lajme të mira për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

08:33 | 10 Maj 2024
njohesit-e-integrimeve-nuk-presin-lajme-te-mira-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-keshillin-e-evropes

Ditë më parë nga Këshilli i Evropës kanë bërë të ditur se çështja e anëtarësimit të Kosovës aktualisht nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave, ndonëse në prill të këtij viti Asambleja Parlamentare e KiE-së miratoi raportin e Dora Bakoyannis e cila rekomandon fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, raporton Front Online.

Mirëpo, më pas nisën kërkesat për lëvizje para lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë e tillë nuk kërkohej në raportin e raportueses për Kosovën.

E lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe “kërkesat” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.

Për njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe se kjo tashmë mbetet vetëm çështje politike, mirëpo në këtë fazë që jemi nuk priten rezultate pozitive për mbledhjen e 16-17 majit të Këshillit të Ministrave.

Kryeziu: Kushtëzimi i draft-Asociacionit në Kushtetuese në shpërputhje me atë që është votuar në Asamblenë Parlamentare

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu thotë për “Front Online” se kushtëzimi i draft-Asociacionit në Kushtetuese si kusht për antëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është në shpërputhje me atë që është votuar në Asamblenë Parlamentare.

Sipas Kryeziut, çështja e themelimit të Asociacionit edhe nga juristët eminent, edhe nga raporti i Bokoyannis, më pastaj edhe nga Komiteti për çështje politike dhe demokraci, edhe nga Asambleja Parlamentare është përkufizuar si ‘kriter i pas anëtarësimit’ mirëpo tash një kushtëzim I tillë edhe nga vendet mbështetëse të Kosovës.

“Pas votimit apo mbështjetjes me mbi një shumicë të kualifikuar që Kosova ka marrë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropë, çështja e themelimit të Asociacionit edhe nga juristët eminent, edhe nga raporti i Bakoyannis, më pastaj edhe nga Komiteti për çështje politike dhe demokraci, edhe nga Asambleja Parlamentare është përkufizuar si ‘kriter i pas anëtarësimit’. Tanimë në votimin final ajo që quhet vota e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të KiE-së apo takimi të ministrave ku është hapi final ku Kosova duhet të ketë një shumicë prej 2/3, pra një shumicë të kualifikuar për të marrë anëtarësimin është vendos kushtëzim dërgimi i draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, i cili duhet thënë që është në shpërputhje me atë që është votuar në Asamblenë Parlamentare, por tanimë është kushtëzim dhe është kushtëzim nga vendet e fuqishme si Franca, Gjermania, nga vendet njohëse”, theksoi ai.

Për Kryeziun nuk priten rezultate pozitive në këtë drejtim duke parë qasjen e palës kosovare edhe pse anëtarësimi do të përbente hapin më të rëndësishëm pas deklaratës së shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të GJND-së.

“Ne e kemi parë qëndrimin e Kosovës në këtë drejtim, prandaj duket që është e pamundur që të ketë mbështetje nga vendet kryesore përpara se Kosova ta dërgojë draftin në Kushtetuese. Ne po shohim që nga pala kosovare ka një qëndrim të prerë nga kryeministri se kriteret janë përmbushur siç thotë vetë raporti edhe i Asamblesë Parlamentare, kështu që nuk shoh ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Duhet thënë që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përben hapin më të rëndësishëm pas deklaratës së shpalljes se Pavarësisë dhe vendimit të GJND-së. Anëtarësimi në KiE është një nga hapat më të rëndësishëm që do të bënte Kosova në fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Mendoj se mos anëtarësimi nuk është lajm i mirë”, tha tutje ai.

Kryeziu sqaron se Komiteti i Ministrave zakonisht mbanë një sesion vjetor të zakonshëm rreth datës simbolike të 5 majit, duke lënë të hapur mundësinë e mbajtjes, nëse rrethanat e kërkojnë këtë, edhe një takim të dytë gjatë vitit.

“E shoh problematike pa ecur në këtë drejtim që mund të ketë ndonjë lajm pozitiv para vitit tjetër, nëse ndërkohë Kosova nuk gjen një modalitet për ta adresuar këtë kërkesë tanimë që e kanë edhe partnerët tanë, të cilët kanë qenë mbështetës në Asamblenë Parlamentare mirëpo tash është vendos si kusht për votim final që përkundër asaj që thuhet që do të jetë kriter pas anëtarësimit. Pra, ashtu thuhet në opinionin e Asamblesë Parlamentare të KiE, tanimë është vendosur si kushtëzim dërgimi I draftit në Gjykatën Kushtetuese për para marrjes së mbështetjes nga ana e Komitetit të Ministrave”, tha Kryeziu për Front Online.

Arifi: Çështja e anëtarësimit në KiE tashmë është vetëm çështje politike

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë për Front Online se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) dhe kjo tashmë është vetëm çështje politike.

Ai thekson se Kosova sipas raportit të Bokoyannis dhe rekomandimit të Asamblesë Parlamentare i ka plotësuar të gjitha kushtet që i kërkohet një shteti.

“Kjo po vërehet që tashmë është vetëm çështje politike, nuk ka të bëjë me kriteret sa i përket që Kosova duhet t’i plotësoj për tu bërë anëtar i Këshillit të Evropës. Rrjedhimisht do të thotë që Kosova sipas raportit të Bokoyannis dhe rekomandimit të Asamblesë Parlamentarë i ka plotësuar të gjitha kushtet që i kërkohet një shteti. Tash është vendim politik i Komitetit të Ministrave të vendosur, ata mund ta vendosin sepse në fund të ditës ai është vendim politik”, thotë Arifi.

Arifi thotë se polemikat në mes të Qeverisë dhe disa partnerëve seriozë të Kosovës mund ta dëmtojë procesin e anëtarësimit.

“Mund ta vendosin Kosovën në agjendë por dyshoj që mund të ndodhë një gjë e tillë për shkak të polemikave në distancë që i ka bërë Qeveria me disa partnerë shumë serioz, dhe kjo mund ta dëmtojë procesin edhe pse ndodha po dëshirojmë ne të besojmë që mund të ndodhë një mrekulli që të anëtarësohemi mirëpo të anëtarësohemi mandej me kushtet që të plotësohen kriteret politike për të cilat po kërkon Komuniteti Evropian”, theksoi Arifi

Ndërkaq, ai tha se në rast se mos futjes së Kosovës në agjendë është problem sepse më pastaj duhet të krijohet një momentum politik i përshtatshëm që vendet të lobojnë për ta futur Kosovën në agjendë.

“Në rast të mos futjes në agjendë të Kosovës është probem sepse tani duhet të krijohet një momentum politik i përshtatshëm që vendet të lobojnë për ta futur Kosovën në agjendë, pasi që ajo e ka kaluar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare. Pastaj mbetet vetëm që të lobohet por që me siguri për këtë vit nuk besoj që do të ketë diçka konkrete në atë drejtim, veç vitin e ardhshëm ndoshta do të bëhet një lobim më I fuqishëm apo të krijohet një momentum pozitiv nëse kemi përparim në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi sepse gjithçka aty po ndërlidhet, po fillohet dhe po përfundon”, theksoi Arifi për Front Online.

Komento: