Njohjën e Kosovës nga Serbia pas dialogut e pret edhe Britania

13:07 | 13 March 2019

Edhe Britania pret që nga Dialogu, Serbia të njohë Kosovën.

Pas takimit ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore dhe delegacionit shtetëror për Dialog, Fatmit Limaj, kryesuesi i delegacionit të Kosovës për Dialogun me Serbinë, deklaroi se kanë biseduar për zhvillimet aktuale dhe për përgatitjet për dialogun.

Ai theksoi se zyrtarit britanik Moore ia kanë shpjeguar përgatitjet dhe platformën e miratuar në Kuvend për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, qëndrimi i gjithë miqve është që të gjendet rruga për zhvillimin e dialogut.

“Të gjithë që vijnë kërkojnë t’i jepet mundësi Dialogut. Ne mundohemi të shpjegojmë se kushtëzimet nuk janë të mira”, tha ai.

Ndër të tjera, Limaj ka folur edhe takimin në Bruksel dhe mospajtimet e mundshme brenda koalicionit.

“Takimet tona në Bruksel janë të rregullta dhe nuk duhet të shihen ndryshe. Delegacioni është shumë unik”, tha Limaj.

Ai ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të ekipit është në rregull, pavarësisht raportimeve për përçarje të mundshme.

Edhe Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i ekipit negociator, tha se edhe Britania ka bërë të qartë se ajo çka presin nga procesi i Dialogut është njoha e Kosovës nga Serbia. Ai tha se diskutuan edhe për çështje të tjera.

Komento: