Nobelistja Nadia Murad viziton QKRMT-në, takon gratë e mbijetuara

23:56 | 05 Shtator 2024
nobelistja-nadia-murad-viziton-qkrmt-ne,-takon-grate-e-mbijetuara

Në prag të shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, nobelistja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Nadia Murad së bashku me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, vizitoi QKRMT-në.

Drejtoresha Feride Rushiti i shprehu mirënjohjen e thellë nobelistes Murad për vizitën në QKRMT si dhe e njoftoi për së afërmi me veprimtarinë njëzetepesëvjeçare të qendrës në rehabilitimin dhe avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Në njoftimin e QKRMT-së thuhet se nobelistja Murad, takoi të mbijetuarat, të cilat marrin trajtim në këtë qendër dhe në Medica Kosova, ku u njoh për së afërmi me dhimbjet dhe sfidat e tyre.

“Nadia Murad e përgëzoi QKRMT-në për punën dhe sukseset e arritura, njëkohësisht, mbajti një fjalim fuqizues për të mbijetuarat. Ajo, ndër të tjera, theksoi rëndësinë e mbështetjes nga shoqëria dhe shteti. Po ashtu tregoi se më në fund mund të themi lirshëm se turpi nuk është mbi ne, por mbi ata që heshtën dhe dështuan të na mbrojnë, mbi ata që dështuan të mbajnë përgjegjës autorët e krimeve dhe mbi ata që tentojnë të na mbajnë të heshtur”, thuhet në njoftimin e QKRMT-së.

Nadia Murad është aktiviste për të drejtat e njeriut nga komuniteti Yazidi e cila e mbijetoi dhunën seksuale gjatë luftës në Irak në vitin 2014. Pas arratisjes nga kampet e robërisë, ajo arriti në Gjermani, ku ia doli të flasë botërisht për torturat ndaj saj komunitetit të saj. Ajo u bë një avokate globale për të mbijetuarit e dhunës seksuale në zonat e konfliktit.

Ajo bashkë themeloi Nadia’s Initiative, e cila fokusohet në rindërtimin e komuniteteve të prekur nga kriza dhe mbështetjen e të mbijetuarve. Në vitin 2018, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe së bashku me Dr. Denis Mukëege, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte.

Komento: