Vazhdojnë sukseset për xhudon kosovare.
Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, kampione e Evropës në kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë, ka triumfuar në turneun Grand Prix në Gjeorgji, duke fituar medaljen e artë.
Në garën finale, xhudistja nga Kosova e ka mposhtur xhudisten brazilianei, Rafaela Silva, kampione olimpike në këtë kategori.
Lajmin për fitoren e Gjakovës e ka bërë të ditur trajneri i xhudos, Driton Kuka në një postim në rrjetin social, Facebook.
“Kampionia Olimpike Silva gjunjëzohet para Norës. Grand Prix Tbilisi Nora Gjakova e artë!”, ka shkruar Kuka.
Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë pas katër luftërave të fituara.
“Sportistja më e mirë e vitit 2018 në Kosovë fitoi 700 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020. Për Norën është kjo medalja e parë e fituar këtë vit”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.