Inflacioni shënoi rënie gjatë shkurtit, norma vjetore 10.5 përqind.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin shkurt 2023.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt 2023 me muajin shkurt 2022 ishte 10.5%.
Por indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ka shënuar rënie prej (-0.3%) në muajin shkurt 2023, krahasuar me muajin janar 2023.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-6.8%); shërbimet për transport (-5.3%); karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-4.8%); blerja e automjeteve (-2.0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.9 për qind) në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa, ngritja e çmimeve vërehet te nëngrupet: Perime (8.4%); pemë (3.2%); kujdes personal (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (0.7%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%); bukë dhe drithëra (0.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 përqind.