“Noto, por mos merr rreze dielli”, rregullat e reja të plazhit në pandemi

11:40 | 17 May 2020

Edhe këtë verë pritet të këtë plazh.

Plazhistët u rikthyen në plazhin e njohur të Nice, “Promenade des Anglais”, në Rivierën Franceze këtë të shtunë, pasi autoritetet vendosën të lehtësojnë edhe këtë masë për qytetarët që nga izolimi total për shkak të koronavirusit që nisi në mes të muajit mars.

Vendimi për të lejuar hapjen e plazheve ishte vetëm për zonat me rrezik të ulët të përhapjes së pandemisë, të njohura ndryshe si “Zona të Gjelbra”, në veri të Francës dhe pjesa e Mesdheut.

Megjithatë sërish duhen zbatuar rregullat e reja. Aktivitetet individuale si peshkimi, noti apo sërfi lejohen, por marrja e rrezeve të diellit apo qëndrimi në plazh për orë të tëra jo.

Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner vizitoi personalisht zbatimin e këtyre masave në plazhin e “Veules-Les- Roses” në Normandi ku tha se rregullat e distancimit social duhet të respektohen me rigorozitet.

“Virusi është ende rreth nesh. Duhet të mësojmë të jetojmë me të. Një person mund të dalë për peshkim, por nuk mund të shtrihet për orë të tëra në plazh. Duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm për të luftuar Covid-19. Nëse rregullat nuk respektohen do të detyrohemi të mbyllim sërish plazhet”, paralajmëroi ministri Castaner./A2CNN

Komento: