Nuk arrihet zgjidhje për të dalë nga greva, vazhdon përplasje Qeveri – Sindikatë

14:49 | 23 Shtator 2022

Me shumë përplasje, por pa ndonjë rezultat konkret ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Arsim, ku prezent ishin ministrat Nagavci e Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murati përveç me përfaqësuesit e SBASHK në këtë mbledhje, kishte përplasje të shumta edhe me deputetët e opozitës.

Ai tërthorazi akuzoi anëtarët e SBASHK-ut se janë të afërt me partitë opozitare.

Ymer Ymeri nga këshilli grevist i BSPK-së ka thënë se qasja e tillë e Ministrit Murati, tregon se ai nuk është i interesuar për të gjetur zgjidhje.

“Ne këtu jemi për të gjetur zgjidhje. Ne këtu jemi për të arritur marrëveshje. Oferta që është bërë me 13 shtator ka qenë e njëjta me atë që është publikuar në media me 3 shtator. Kështu që anëtarësia e jonë se ka pranuar pakon ekonomike prej 50 eurove, sepse nuk ka qenë as kërkesë e jona. Ne jemi këtu për atë arritur një marrëveshje të përbashkët. Të cilën ju si qeveri nuk jeni duke e ofruar”, u tha nga SBASHK-u.

Në fund, ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ai i cili ka dalë me një propozim për Këshillin Grevist për të zëvendësuar metodën aktuale të grevës me atë të mosvendosjes së notave për nxënësit.

Sipas Golës, duhet të ndërrohet mënyra e presionit për plotësimin e kërkesave, në mënyrë që të mbahet edhe mësimi dhe qeveria në të njëjtën kohë të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Ymer Ymeri nga Këshilli Grevist, nuk ka qenë shumë optimist për këtë propozim, por ka thënë se do ta shqyrtojnë me anëtarësinë.

Në anën tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se pika e vetme që nuk pajtohen me SBAShK-un është kërkesa e tyre prej 100 euro.

Sipas Nagavcit, kjo kërkesë e SBASHK-ut po e pamundëson zgjidhjen e grevës.

“Pika e vetme ku unë dhe kolegët e mi nuk kemi arritur një mirëkuptim është kërkesa e parë që të përcaktohet një shtesë në vlerë prej 100 eurove. Ne kemi kërkuar që SBASHK-u të mos vijë me një kërkesë të tillë e cila pamundëson zgjidhjen e grevës”, ka thënë Nagavci.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme nuk ka kaluar në Kuvend rezoluta e PDK-së në lidhje me grevën. Kundër kësaj rezolute kanë votuar deputetët e partisë në pushtet.

Gjatë ditës së djeshme në debatin parlamentar për grevën, në Kuvend partitë opozitare kërkuan nga Qeveria që sa më parë të gjejë zgjidhje për dalje nga kjo situatë.

Në anën tjetër kryeministri Kurti tha se greva po përdoret si armë kundër tij nga ana e partive opozitare.

Komento: