Marseille nuk ka ndërmend të aktivizojë opsionin e blerjes të përfshirë në marrëveshjen e huazimit të Eric Bailly, sipas “La Provence”.
Ai thuhet se nuk ka përmbushur pritshmëritë e klubit dhe se do të kthehet te Manchester United pas përfundimit të këtij sezoni.
Bailly ka luajtur vetëm 17 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon. Ai u lëndua shpesh dhe u pezullua me shtatë ndeshje për një goditje të kundërshtarit në gjoks në një ndeshje të Kupës së Francës kundër Hyeres.
28-vjeçari ka humbur edhe besimin e trajnerit Igor Tudor.
Opsioni i blerjes prej 7 milionë eurosh të Baillyt thuhet se do të aktivizohej automatikisht nëse ai do të luante 19 ndeshje në ligë dhe Marseille do të kualifikohej në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Qendërmbrojtësi është paraqitur vetëm në 11 ndeshje në ligë deri më tani, teksa Marseille është ende në garë për një pozitë që e dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Ndryshe, reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ka kontratë të vlefshme me Manchester Unitedin deri në verën e vitit 2024.