Nuk dorëzohen arabët, arrin në Liverpool më 235 milionë euro ofertë për Salah

20:45 | 04 Shtator 2023

Zyrtarë nga Arabia Saudite kanë udhëtuar në Angli për ta bërë përpjekjen e fundit të Liverpool që ta blejnë Mohamed Salah, shkruajnë mediat atje.

Al – Ittihad shpresonte që ta transferonte yllin e Egjiptit por oferta e tyre prej 150 milionë funte (175 milionë euro), u refuzua javën e kaluar nga Liverpool.

Por, mundësia që Salah të kalojë në Lindjen e Mesme këtë javë nuk është mbyllur, megjithatë, pasi që Daily Mail raporton që një delegacion saudit ka mbërritur në Angli të shtunën dhe është duke i vazhduar bisedimet me Liverpool.

Liverpool e ka bërë të qartë që ata nuk kanë për synim shitjen e Salah.

Jurgen Klopp tha të dielën që Salah është “futbollist i joni dhe dëshiron të luajë këtu” dhe insistoi javën e kaluar që futbollisti është “super i përkushtuar” për Liverpoolin. Në anën tjetër, mesfushori Dominik Szoboszlai po ashtu tha se futbollisti dëshiron “të qëndrojë” në Anfield.

Megjithatë, skuadra nga Pro Liga Saudite do ta testojë edhe njëherë Reds me një ofertë që thuhet se do të jetë rreth 200 milionë funte, që në euro i bie deri në 235 milionë.

Delegacioni saudit do ta diskutojë marrëveshjen me Liverpool para se afati në Arabi Saudite të mbyllet të enjten.

Komento: