Nuk e mbajnë fjalën Talebanët, nisin bastisjet për kërkimin e bashkëpunëtorëve të SHBA

20:35 | 19 August 2021

Edhe pse premtuan se nuk do të ketë hakmarrje apo sulm ndaj kundërshtarëve, talebanët janë duke bërë krejt të kundërtën në orët e fundit në Afganistan.

Kreu i një grupi që ofron shërbime inteligjente për Kombet e Bashkuara bën me dije se talibanët kanë nisur bastisjet derë më derë në kërkim të personave që ndodhen në listën e tyre të të kërkuarve.

“Nga ajo që kemi parë së fundmi, talebanët kanë nisur lëvizjet në qytetet kryesore të Afganistanit dhe shihet se kanë një sistem më të përparuar inteligjence. Ata kanë një listë me persona të kërkuar ku përfshihen ish punonjës të qeverisë, në veçanti në shërbimet e inteligjencës dhe njësitë e forcave speciale”, u shpreh Christian Nellemann, nga qendra norvegjeze për analizat globale.

Nellemann i frikësohet ekzekutimeve në masë, por edhe zbulimit të shumë metodave apo rrjeteve të inteligjencës që perëndimi ka ngritur në rajon.

Qendra Norvegjeze për Analizat Globale deklaroi më herët se talebanët kanë nisur rekrutimet për një rrjet të ri informatorësh për të bashkëpunuar me regjimin e tyre.

Komento: