Nuk e ndajnë të njëjtin optimizëm Thaçi e Vuçiq për marrëveshje

08:48 | 20 Dhjetor 2018

Presidenti i Kosovës Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk e ndajnë të njëjtin optimizëm për marrëveshje.

Për shkak të rëndësisë që kanë raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për politikën e BE-së në rajon, mundësia e arritjes së marrëveshjes mes këtyre dy vendeve thuhet të ketë qenë edhe tema kryesore e diskutimeve në një drekë pune, që në Bruksel kanë zhvilluar pesë liderë të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kësaj radhe nga “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” ka munguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të angazhimeve në Tiranë, shkruan Koha Ditore.

Në Bruksel, përderisa është i dukshëm shqetësimi për tarifat që Kosova ka vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina, si dhe zhgënjimi pse Qeveria e Kosovës nuk përfill kërkesat e BE-së për t’i hequr ato, ndihet edhe një dozë e optimizmit se “në një periudhë të afërt” mund të arrihet Marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por ajo që për disa duket si shpresë për disa të tjerë duket si frikë, në rast se Marrëveshja do të përfshinte elemente që nuk janë të dëshirueshme si për shembull mundësinë e ndryshimit të kufijve. Pikërisht kjo mundësi ka krijuar ndarje edhe mes shteteve të Bashkimit Evropian me Gjermaninë në krye të atyre shteteve të cilat kundërshtojnë një mundësi të tillë.

Komento: